Drejt Maqedonisë së Veriut pa testin PCR, shtohet qarkullimi i qytetarëve

Në pikën kufitare në Han të Elezit sot vërehej shtim qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve që po shkonin drejt Maqedonisë së Veriut, por edhe të atyre që po vinin drejt Kosovës.

Kjo pasi nga sot qytetarët e Kosovës por edhe ata të Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë pa testin PCR negativ për Covid-19. Këtë vendim autoritetet maqedonase e morën javën që shkoi por hyri në fuqi nga sot. E rrjedhimisht në bazë të parimit të reciprocitetit edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë të hyjnë në Kosovë pa testin PCR për COVID-19.

E si duket ky vendim i ka gëzuar shumë qytetarët e Kosovës të cilët ishin të shumtë që u panë në pikën kufitare në Han të Elezit që ishin nisur drejt Maqedonisë së Veriut. Disa për vizita e disa për punë të tjera.

Abaz Luta, i cili punon si taksistë i është gëzuar shumë vendimit për qarkullim drejt të dyja vendeve pa pasur nevojë për testin PCR negativ për COVID-19, pasi që ai tash e disa muaj nuk ka mundur të punonte fare.

“Ne punojmë taksi këtu në zonën kufitare në Han të Elezit….ka qenë bllokadë shumëmujore as punë, as kontakte andej me familje se na lidh edhe farefisi. Sot besoj është këndellur më tepër puna dhe është bërë më mirë…Jo jo absolutisht nuk kemi punuar, sepse edhe po ta bënim ne testin e koronavirusit, pasagjerët nuk kanë mundur të udhëtonin, kështu që ne prej marsit nuk kemi punu”, tha ky qytetar.

Sejrem Krasniqi nga Lipjani është i lumtur që tashti mund të shkojë t’i vizitojë të afërmet e tij pa asnjë kufizim.

Gjatë kohës së ishte në fuqi vendimi që pas testin PCR negativ të mos qarkullojnë kosovarët drejt Maqedonisë së Veriut, Krasniqi thotë se ka shkuar në këtë vend por gjithmonë është dashur ta kishte edhe këtë lloj testi.

“Pa test…i kemi disa miq andej dhe po shkojmë… unë gjithë kam shkuar por me test PCR”, tha ai.

Bekim Bujupi me familjen e tij ka zgjedhur që ditën e parë të javës ta kalojë në Shkup.

Të gjithë kishin vendosur maskat, prandaj Bujupi thotë se nuk po ndihen të rrezikuar ndonëse virusi ende është në mesin tonë.

“Po shkojmë në Shkup vetëm për vizitë kështu… i mirë është ky vendim”, thotë ai.

Përveç qytetarëve nga Kosova, të shumtë ishin edhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut në pikën kufitare te Hani Elezit.

Për vizitë te të afërmit e tij në Viti, kufirit të Kosovës ia kishte mësyrë edhe Salih Kabashi. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Kabashi thotë se për të hyrë në Kosovës nuk iu kërkua testi PCR negativ.

“Pas 5-6 muajve po vijmë në Kosovë… jo asgjë nuk është kërkuar, mirë kemi kaluar”, tha Kabashi.

Nga malli që kishte për Kosovën qysh në ditën e heqjes së testit PCR, Muhamet Sinani nga Shkupi ka marrë rrugën drejt Kosovës.

Sinani thotë se gjithçka ishte sikur më parë, madje përkundër që kishte menduar që do ngelej më gjatë në kolona, ai thotë se edhe rruga ishte e qarkullueshme.

“Jo nuk na është kërkuar testi… Jo asgjë, gjithçka sikur përpara… Nuk ka pritje janë të zakonshme gjatë kësaj sezone, kam menduar që më shumë se do pres por jo…Po shkojmë për qejf na ka marrë malli për Kosovën… prej kur ka fillua pandemia kjo çështja PCR…”, u shpreh Sinani.

Muaj me parë Maqedonia e Veriut kishte marrë vendimi që qytetarët e Kosovës mund të shkonin në këtë shtet vetëm duke pasur testin PCR negativ brenda 48 orëve.