E mitura nga Gjilani pa shtetësi, përfundon për prostitucion në Serbi

Një tjetër rast i abuzimit me persona të mitur është kthyer në kujtesë.

Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional “Clard Kosovo” ka thënë se një vajzë e zonës së Gjilanit e moshës katërmbëdhjetë vjeç në fund të vitit 2014 ka përfunduar nga Kosova në Serbi, ku është detyruar të ofrojë shërbime seksuale. Ai ka treguar për “Radio Kosovën”, se vajzës i ishte hequr edhe shtetësia e Kosovës.

“Para katër viteve, në fund të vitit 2014, një e mitur nga zona e Gjilanit, në moshën 14 vjeçare, trafikohet si qenie njerëzore për të ushtruar prostitucion nga Kosova në Serbi. Asaj në mënyrë institucionale i është hequr shtetësia, që është një indikacion se trafikantët se trafikuesit kanë pasur një bashkëveprim me njerëz në institucione të nivelit lokal. Ajo ka qëndruar në Serbi për dy vite e gjysmë, ku është detyruar të ofrojë shërbime seksuale”, ka thënë Nrecaj. “Prindi i saj e ka kërkuar për dy vite e gjysmë derisa e ka gjetur në Serbi. Ajo tash është kthyer në Kosovë por të dhënat i janë zhdukur”.

Sipas tij, personat e përfshirë në këtë rast janë njerëz të lidhur edhe me pushtetin, por ai nuk ka dashur të japë më shumë detaje.

“Personat të cilat kanë abuzuar janë persona të lidhur me pushtetin, por kanë dyshtetësi, atë të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë ai.

Nrecaj ka thënë se gjendet në proces të përgatitjes për ta dërguar rastin në Prokurorinë Speciale.

“Vajza tash është 19 vjeçare”, ka thënë ai.