Ekipi kosovar i “Strehimit”, në SHBA pa përkrahjen e shtetit

Ekipi kosovar i shfaqjes “Strehim”, të dielën, ka udhëtuar drejt ShBA-së. Të kota kanë qenë kërkesat drejtuar institucioneve të Kosovës për mbështetje financiare. Asnjëri nga tre prej tyre s’ka dhënë përgjigje pozitive për këtë projekt kosovaro-amerikan midis teatrit “Oda” dhe “Blessed Unrest”.

Premiera do të jepet më 25 prill në “Baruch Performing Arts Center” në New York. Bashkëregjisori i kësaj shfaqjeje Florent Mehmeti dhe aktorët Ilire Vinca, Daniela Markaj e Eshref Durmishi, me kolegët e tyre amerikanë, sot (e hënë) do të nisin provat për të jetësuar rrëfimin për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët. Do të kenë edhe një barrë: mungesën e përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore. Fondet e deritanishme kanë qenë të detyruar t’i kërkojnë në mënyrë alternative.

Një pjesë e financimit qe siguruar para një jave në ditën e fundit të marsit, me gjithsej 15 mijë dollarë donacione nga individë donatorë në “Kickstarter”, platformë amerikane e mbështetjes së projekteve artistike e kulturore. Kjo shumë ka qenë caku i përcaktuar për kampanjën mbështetëse të këtij projekti, por kostoja e përgjithshme e projektit është 83 mijë e 500 dollarë.

Ministria e Kulturës, sikurse edhe ajo e Diasporës e Komuna e Prishtinës, nuk i janë përgjigjur kërkesës së tyre për përkrahje.

“Nuk kemi gjetur ende përkrahje nga institucionet e vendit. MKRS-ja nuk ka aprovuar kërkesat tona individuale për shpenzime të udhëtimit. Për Ilire Vincën kemi përkrahjen e KCSF (Kosovar Civil Society Foundation) vetëm për shpenzimet e udhëtimit. U jemi drejtuar edhe Ministrisë së Diasporës dhe Komunës së Prishtinës, por pa sukses”, ka thënë Mehmeti.

S’kanë bërë punë as ankesat drejtuar në adresë të tyre.

Katërshja e ekipit kosovar të “Strehimit” nuk kishte figuruar në mesin e 13 përfituesve të konkursit për projektet kulturore të MKRS-së, në listën e shpallur më 20 mars. Ata kishin konkurruar në seksionin e diplomacisë kulturore për përkrahje individuale. Kishin kërkuar nga 5 mijë euro, sa është maksimumi i përkrahjes për individë. Pesë ditë pas shpalljes së rezultateve ishin ankuar me shkrim në adresë të MKRS-së. Prej atëherë, s’kanë marrë përgjigje.

Në ankesën që ia ka përcjellë edhe gazetës, regjisori Mehmeti kishte shkruar se projekti i propozuar nga ta përfaqëson një nivel të lartë të kualitetit artistik, por edhe mundësinë e një diplomacie kulturore të nivelit të lartë në New York dhe ShBA.

Shfaqja “Strehim” përcjell udhëtimin e një gruaje të re hebraike, e cila në një fshat të largët shqiptar zbulon të vërtetën e shpëtimit të familjes së saj dhe të atyre që rrezikuan gjithçka për t’iu siguruar strehim. Është e bazuar në ngjarje reale, në të cilat mijëra refugjatë hebraikë të Luftës së Dytë Botërore u strehuan nga familjet në Shqipëri e Kosovë dhe vise të tjera shqiptare.

Shfaqja është në regji të përbashkët të Florent Mehmetit dhe regjisores Jessica Burr. Muzika është realizuar nga bendi “Metropolitan Klezmer” (Ismal Butera, Debra Kreisberg dhe Eve Sicular), ndërsa tekstin e kanë shkruar Matt Opatrny, Florent Mehmeti dhe ansambli i këtij teatri. Kasta e aktorëve amerikanë përbëhet nga Nancy McArthur, Becca Shneider dhe Perri Yaniv. “Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e realizuar nga teatri “Oda” dhe “Blessed Unrest”, që nga viti 2005.