Facebook-u tregon se cilat valuta do ta mbështesin kriptovalutën “Libra”

Zyrtarët e rrjetit social “Facebook” kanë dhënë më shumë hollësi për projektin kundërthënës të kriptovalutës “Libra”, duke treguar se cilat valuta do të përdoren për ta mbështetur atë.

Në një letër dërguar politikanit gjerman, Fabio de Masi, Facebook-u tha se gjysma e kriptovalutës “Libra” do të mbështetet nga rezervat e dollarit amerikan, ndërsa euroja, jeni japonez, funtet britanike dhe dollari i Singaporit gjithashtu do të përdoren për ta përkrahur këtë kriptovalutë.

Mbështetja e “Libra”-s me valutat tradicionale ka për qëllim që ta zgjidhë problemin e mungesës së qëndrueshmërisë së çmimeve, që po ndikon në dëmtimin e kriptovalutave të tjera, siç është “Bitcoin”.

Sidoqoftë, në mesin e valutave që mungojnë në këtë mes është valuta kineze, e cila përdoret nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Ky mund të jetë një vendim strategjik, sepse zyrtarët e rrjetit social shpresojnë se mospërfshirja e kësaj valute do të ndikojë në zbutjen e mosmarrëveshjeve sa i përket politikave ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Zyrtarët e Facebook-ut kanë thënë se do ta lëshojnë këtë valutë në treg gjatë një periudhe të caktuar në vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, kjo valutë është kritikuar nga politikëbërësit e financave, shkruan “Independent”