Facebooku synon t’i paguajë përdoruesit për mendimin e tyre

Pasi që Facebooku ishte detyruar më herët t’i mbyllte dy aplikacione që po grumbullonin sasi të mëdha të të dhënave të përdoruesve në emër të hulumtimit të tregut, kompania e ka përgatitur një aplikacion të ri përmes të cilit do t’i shpërblejë përdoruesit për reagimet vullnetare.

Aplikacioni i ri për hulumtimin e tregut, i emërtuar Viewpoints, u premton kompensim të gjithë përdoruesve në këmbim të plotësimit të pyetësorëve dhe detyrave të tjera. Përdoruesit do të mund t’i fitojnë deri në 600 dollarë në vit, ndërsa paratë e tyre do të transferohen përmes PayPal kur ta fitojnë një numër të caktuar pikësh të fituara përmes pjesëmarrjes në programe, shkruan KOHA Ditore. Detajet e sakta të pikëve nuk janë publikuar, por disa shpërblime dihet se nuk do të kenë vlerë monetare.

Facebooku do ta përdorë aplikacionin për shumë më tepër sesa hulumtimet. Nga përdoruesit mund të kërkohet të kryejnë detyra, të demonstrojnë produkte ose madje të ndihmojnë në përmirësimin e teknologjisë AI, si regjistrimi i shqiptimeve të emrave për njohje të zërit ose etiketimin e fotove me qëllim të përmirësimit të njohjes së fotografive.

Ende nuk është e qartë se për çfarë “detyrash” të tjera bëhet fjalë dhe nëse përdoruesve do t’u kërkohen shprehitë e tyre të surfimit apo përdorimit të aplikacionit. Për kushtet e përdorimit është cekur se aplikacioni mund të mbledhë të dhëna nga telefonat mobilë të përdoruesve, përfshirë llojin e browserit dhe të dhënat për lokacionin.