Familja Rugova përfiton 7000 euro në muaj nga shteti, e nënës së dëshmorit i ndalet pensioni

Nuk është vetëm familja Rugova që po e zhvat shtetin. Të tillë ka edhe në qeveri, kuvend e presidencë.
Kjo vjen ndërkohë që Shaha Haziri, të cilës i ranë dëshmorë në luftë djali dhe burri, e që jeton e vetme në fshatin Verbovc të Drenasit nuk po arrinë të shlyejë borxhin ndaj KEDS-it me pensionin që merr nga kategoria e familjes së dëshmorit.

Ajo nuk po arrin ta shlyejë borxhin për rrymën e shpenzuar.

Për këtë, Kompania për Furizimin me Energji Elektrike e ka dërguar lëndën me borxhin e saj te përmbaruesi privat .

75 vjeçarja, ditën kur kishte shkuar ta marrë pensionin si familjare e dëshmorit, e kishte kuptuar që nuk mund ta marr atë pasi i është ndalur për pagesën e energjisë elektrike.

Por, ajo thotë se e ka paguar këtë borxh.

“Ma ka ndalë pensionin për shkak të rrymës. Nuk e ke paguar rrymën asnjëherë më kanë thënë. Iu thash se nuk e kam paguar sepse më kanë thënë se e kam pa pare. Kur më kanë prurë letrën e kam paguar. Në fillim kam paguar 50 euro, pastaj 30 apo 40 ashtu si kam pasë”, tregon Shaha Haziri.

Përderisa Haziri ka këto probleme, familjes Rugova në anën tjetër vetëm se i janë shtuar të ardhurat.

Dje qeveria e Kosovës ka vendosur që Fana Rugovës t’i ndajë pagë mujore prej 1 mijë eurove në muaj.

Po ashtu sipas këtij vendimi Fana do të ketë shofer dhe veturën personale të saj.

Këto nuk janë përfitimet e vetme të kësaj familje.