Feronikeli mund të shërbehet me përvojën e Trepçës ’89

Rezultati i mirë në ndeshjen e parë sjell optimizëm, por jo edhe garanci për sukses të plotë. Garanci nuk jep as kur ndeshja e kthimit luhet në shtëpi dhe përkrahja e tifozëve është e madhe. Është Trepça ’89 që e ka përjetuar këtë.

Skuadra mitrovicase, Trepça ’89, ishte e para që përfaqësoi Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Kampioni i edicionit 2015\16 në Superligën e Kosovës në futboll, Feronikeli, nuk u licencua për kupa evropiane dhe kështu nuk ia doli të shfrytëzonte të drejtën që ia dha UEFA në momentin e fundit

Një vit më pas Trepça ’89 fitoi titullin dhe u licencua për gara evropiane, ndonëse pati mëdyshje nga palë të ndryshme nëse procesi i licencimit ishte plotësisht i rregullt. 89-shi fitoi titullin e parë dhe menjëherë fitoi të drejtën për paraqitje në Champions në edicionin 2017\18. Atë edicion nuk kishte fazë të parakualifikimeve dhe “xehetarët” nisën nga raundi i parë kualifikues. Ndeshjen e parë e luajtën në udhëtim ndaj Vikingurit të Ishujve Faroe dhe pësuan 2:1.

Fiton Hajdari kishte shënuar golin në minutën e 39-të dhe humbja me një gol dallim, krahas një goli të shënuar, vlerësohej rezultat i favorshëm për ekipin mitrovicas para ndeshjes së kthimit. Një fitore minimale në ndeshjen e kthimit do t’i mjaftonte 89-shit për të avancuar në raundin e dytë kualifikues dhe për të bërë në debutim hap gjigant.