Fillon shitja e biletave për ndeshjen e Kosovës me Bullgarinë, këto janë çmimet

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen kthyese me Bullgarinë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020. Sot, faqja zyrtare e ekipit kombëtar të Bullgarisë i ka publikuar edhe çmimet e biletave.

Ekipi kombëtar i Bullgarisë do ta presë ekipin kombëtar të Kosovës më 10 qershor, në orën 21:45, në stadiumin kombëtar “Vasil Levski”. Çmimet e biletave ndryshojnë prej gjashtë deri në 153 euro

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave u zhvillua me 25 mars dhe përfundoi me rezultat 1:1. Kjo ishte ndeshja debutuese e Kosovës në kualifikime për Kampionatin Evropian.

Biletat për sektorin A – 20.45 euro

Biletat për sektorin B – 15.35 euro

Biletat për sektorin Б dhe Г – 6.15 euro

Biletat për sektorin VIP 1 – 143.40 euro

Biletat për sektorin VIP 2 – 51.15 euro

Biletat mund të blihen në: OMV, Orange Center, Office 1 Superstore, Postën e Bullgarisë, Qendra e Biletave në Pallatin Kombëtar të Bullgarisë për Kulturë, Arena Armeec dhe Technopolis.

Kosova i ka dy mundësi për t’u kualifikuar në EURO 2020. Fillimisht, “Dardanët” do të tentojnë ta zënë një vend në këtë garë përmes kualifikimit nga grupi. Nëse dështon në këtë tentim, atëherë skuadra e Bernard Challandes e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin D3 të Ligës së Kombeve

Kosova është në grup me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Kosova do të duhet ta zë njërin prej dy vendeve të para në Grupin A për t’u kualifikuar në Evropian përmes kësaj rruge.

Nëse Kosova nuk arrin ta zë njërin prej dy vendeve të para në fazën e grupeve, atëherë ajo do ta ketë mundësinë të kualifikohet në EURO 2020 përmes play-offs, të cilat do të zhvillohen në mars të vitit 2020 dhe do t’i caktojnë katër pjesëmarrësit e fundit.

Kosova kishte triumfuar në Grupin 3 në Ligën D dhe për këtë arsye do të garojë në play-offs kundër tri kombëtareve të tjera që triumfuan në grupet e tjera të Ligës D. Në gjysmëfinale të play-offs, “Dardanët” do të përballen me Maqedoninë, ndërsa në finale mund të përballen me fituesin e gjysmëfinales tjetër, mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Gjysmëfinalet dhe finalja do të përcaktohen vetëm nga një ndeshje dhe Kosova do të luajë si mysafir në gjysmëfinale. Nëse arrijnë të kualifikohen në finale, “Dardanët” mund ta luajnë atë ndeshje në “Fadil Vokrri” pasi që vendi nikoqir vendoset me short. Katër ekipet kombëtare që shpallen fituese të play-offs, një nga secila Ligë e Ligës së Kombeve, do t’i bashkohen 20 ekipeve kombëtare që u kualifikuan në EURO përmes fazës së grupeve.

Kampionati Evropian do të zhvillohet nga 12 qershori i vitit 2020 deri më 12 korrik. 24 ekipet kombëtare do të garojnë në 12 stadiume të cilat gjenden në 12 vende të ndryshme të Evropës.