Fluturakja kineze pritet të lëshohet në pjesën e skajshme të Hënës

Fluturakja e parë që do ta provojë lëshimin në pjesën më të largët të Hënës, pritet ta nisë fluturimin nga Kina. Kjo paraqet një hap historik për studimet hënore. Agjencia kineze e hapësirës e ka quajur këtë mission “Chang’e 4”. Në këtë mision përfshihet lëshimi i një pajisjeje robotike dhe një makine lëvizëse.
Misioni është emërtuar në bazë të zotit kinez të hënës dhe pritet që ta fillojë realizimin sot në orën 6 e 30 minuta sipas kohës evropiane. “Shkuaja në anën më të largët të Hënës paraqet një hap të madh teknologjik për shkencën kineze. Programi hapësinor i Kinës është jashtëzakonisht ambicioz”, tha Katherine Joy, shkencëtare që merret me studimin e Hënës në Universitetin e Mançesterit.

“Kjo fluturake do të shkojë në një vend që është vërtet i veçantë për studimin e Hënës. Atje do të groposet në sipërfaqe të thella dhe mund të zbulohen gurë që ndoshta më parë nuk do t’i gjenim në Hënë”, vazhdoi ajo. Nëse gjithçka kryhet sipas planit, fluturakja do të futet ngadalë në orbitën e Hënës, ndërsa pritet që të lëshohet në sipërfaqen e Hënës në javën e parë të janarit.

Zyrtarët kinezë kanë dhënë shumë pak hollësi për vendin e saktë të lëshimit të fluturakes, por në maj të këtij viti një hulumtim kishte treguar se ky mision ka për qëllim rrëmihjen e thellë në sipërfaqe të Hënës. Intrumentet që gjenden brenda fluturakes dhe makinës lëvizëse do t’ua mundësojnë shkencëtarëve që ta studiojnë përbërjen gjeologjike të Hënës dhe ta studiojnë rritjen e bimëve kur ato gjenden nën ndikimin e gravitetit të Hënës, shkruan “The Guardian”.