“Fondi 3%”, Naser Osmani për 6 vjet tërhoqën mbi 800 mijë euro, s’ka dëshmi për mbi 150 mijë euro

Gjatë periudhës 2006-2012, mbi 800 mijë euro ishin tërhequr nga Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, derisa nuk ka dëshmi për mënyrën e shpenzimit për mbi 150 mijë euro.

Një deklarim të tillë e ka bërë eksperti financiar, Bujar Qorolli, i cili është dëgjuar në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Naser Osmani dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi, po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim, në rastin që njihet ndryshe si fondi i 3%-shit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është veçuar.

Eksperti Qorolli, ka thënë se në bazë të dokumentacioneve të pranuara nga prokuroria, janë analizuar llogaritë bankare të personave që kanë udhëhequr apo menaxhuar OJQ “Fond” dhe OJQ “UFORK”, ku sipas tij në “Fond”, llogarinë bankare e ka menaxhuar Bujar Bukoshi, ndërsa të akuzuarit Osmani dhe Gashi kanë qenë të autorizuar në atë llogari, si dhe janë analizuar llogaritë personale të të akuzuarve.

Ai ka shpjeguar analizën e bërë të llogarive bankare si dhe rrjedhën e hyrje-daljeve të mjeteve në “UFORK”, sipas të cilit, diferenca në mes tyre ka qenë në vlerë prej 154,132.47 euro, për të cilat mjete ka thënë se nuk u ishte ofruar ndonjë dëshmi për burimin e shpenzimeve.

“OJQ UFORK në vitin 2006, ka pranuar gjithsej 335,632.10 euro. Gjatë analizimit të kësaj llogarie për këtë periudhë nga Osmani dhe Gashi gjithsej janë tërhequr 832,340.00 euro, për periudhën 2006-2012. Në emër të shpenzimeve të udhëtimit janë transferuar 2100 euro, si dhe në llogarinë personale të Osmanit janë transferuar 1000 euro. Gjatë analizimit të dokumentacionit financiar të pranuar, në emër të pagave janë shpenzu 123,350.00 euro, ndërsa shpenzimet operative janë gjithsej 59,640. 37 euro. Diferenca në mes të hyrave dhe shpenzimeve është 154,132.47 euro, për të cilat mjete nuk më është ofru asnjë dëshmi për burimin e shpenzimit të këtyre mjeteve”, ka thënë Qorolli.

Në pyetjen e prokurorit special, Atdhe Dema, se a kishin bërë përpjekje për të identifikuar burimin e shpenzimeve të këtyre mjeteve, Qorolli ka thënë se në konsultim verbal me prokurorinë, atij i ishte thënë se aq ka dokumentacion dhe ekspertiza përfundohet me dëshmitë e poseduara.

Qorolli ka shtuar se në dokumentacionin e ofruar nga prokuroria nuk kishte pasur raport të mirëfilltë financiar për “UFORK”-un, por vetëm kartela të institucioneve, ditar të arkës dhe pagat për periudhën 2008-2012.