Fragmentet e para të sezonit të tretë të serialit “13 Reasons Why”

Ditë më parë Netflixi i gëzoi fansat e serisë 13 Reasons Why: është publikuar trileri për sezonin e tretë me lajmin se seriali do ta ketë edhe sezonin e katërt, i cili do të jetë njëkohësisht edhe i fundit.

Ngjarja e sezonit të tretë është vendosur 8 muaj pas ngjarjeve të sezonit të kaluar. Clay (Dylan Minnette), Tony (Christian Navarro), Jessica (Alisha Boe), Alex (Miles Heizer), Justin (Justin Foley) dhe Zach (Ross Butler) e kanë përsëri një sekret të madh, ndërsa provojnë ta ndihmojnë Tylerin (Devin Druid) me shërimin e tij. Grupi kësaj radhe do të tronditet nga zhdukja e ish-mikut të tyre, ndërsa Clay do të vihet nën mbikëqyrjen e policisë. Në triler mund të shihet qartë se për zhdukjen e kujt bëhet fjalë.

Sezoni i parë u xhirua sipas romanit të Jay Asher me të njëjtin titull dhe pati një shikueshmëri të shkëlqyeshme dhe kritika të mira. Një prej kontroverseve ishte e lidhur me skenën eksplicite të vetëvrasjes së Hannah (Katherine Langford) të cilën Netflix e hoqi nga sezoni i parë dy javë më parë, shkruan KOHA Ditore. Sezonet e tjera janë tregime origjinale pa ndonjë shabllon letrar ndërkohë që sezoni i dytë nuk mori vlerësime të mira, kështu që duhet pritur nëse seriali do të mundë “ta nxjerrë veten” me sezonin e tretë dhe të katërt.

Në rolet e tjera luajnë: Timothy Granaderos, Anne Winters, Steven Weber, Brenda Strong, Amy Hargreaves dhe Grace Saif.

Sezoni i katërt është tashmë në produksion ndërsa në qendër të ngjarjes do t’i ketë ditët e fundit të ekipit kryesor në shkollën Liberty High dhe diplomimin e tyre. Sezoni i tretë i 13 Reasons Why në Netflix arrin më 23 gusht dhe do t’i ketë 13 episode.