“Ftohet hekuri”, marrëveshja VV-LDK një hap prapa!

Intervista e mbrëmshme e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka qitur në sipërfaqe mosmarrëveshjet mes subjektit të tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth mundësisë së arritjes së një koalicioni bashkëqeverisës.

Konjufca tha se LDK-ja po mendon se është duke negociuar me PDK-në. Po ashtu ai tha se pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur gjë që LDK po kërkon për veti, në bisedimet për krijimin e qeverisë.

Kjo intervistë e Konjufces ka ardhur vetëm pak orë pas deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu i cili ua bëri një ofertë VV-së që posti i kryeministrit ti takojë LDK-së ndërsa kryeparlamentari, presidenti dhe një ministri më shumë ta marr VV-ja.

E akuzat mes dy subjekteve vazhduan deri në orët e vona. Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhikut nuk i ka pëlqyer aspak intervista e Konjufces

“Marrëveshjet e mosmarrëveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive. Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, propagandë për propagandë jemi ngopur mjaftë.

“Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”, ka thënë ai.

Reagim pati edhe Hekuran Murati i VV-së. Ai tha se megjithëse VV-ja është fituese është pajtuar që pushteti të ndahet përgjysmë.

“Njëmend e kemi! Tashmë jemi pajtuar për programin, dhe ndarjen e dikastereve ministrore 5 me 5. Megjithëse fitues, u pajtuam të ndajmë përgjegjësitë qeverisëse përgjysmë, sipas formulës së propozuar nga ju. Madje edhe zgjodhët të parët. Le të mos bëhemi peng i kushtëzimeve përtej asaj për çka votuan qytetarët më 6 tetor!”, ka thënë Murati.

Sulme e kundërsulme mes VV-së e LDK-së mbrëmë ka pasur edhe nga kryetarë të degëve të këtyre partive.

Ajo që tashmë është e qartë, se mes këtyre dy subjekteve në fund mund të këtë martesë, por dashuri jo.