Gara në LDK, Kujtim Shala tregon nëse do të kandidojë për kryetar

Ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Mustafa dhe njëkohësisht nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala ka thënë se nuk do të kandidojë për kreun e partisë edhe pse emri i tij është përmendur si kandidat potencial për kryetar të partisë.

Lutfi Haziri është deklaruar për kandidimin e tij për kryetar të LDK-së, ndërsa kundërshtare mund ta ketë Vjosa Osmanin me të cilën ka raporte të acaruara. Janë përmendur edhe emrat e Avdullah Hotit dhe Kujtim Shalës.

Mirëpo, në një prononcim për Gazetën Express, Kujtim Shala ka thënë se nuk do të garojë për kreun e partisë.

Kandidatët, sipas statutit të LDK-së, do të zgjidhen me vota të delegatëve, ndërsa numri i këtyre të fundit varet prej votave që kjo parti ka marrë në zgjedhjet nacionale.

Për çdo 532 vota që një degë ka marrë nga zgjedhjet lokale, ajo do të çojë 1 delegat në Kuvendin Zgjedhor të LDK’së ku zgjedhet kryetari i partisë.

Në zgjedhjet lokale në Prishtinë LDK ka marrë 41.897 vota, që i bie se do të ketë 80 delegatë.