Gjukanoviq ia bën bajat Irinejt: Kosova e pavarur është interes i yni nacional, s’kemi ç’flasim

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, gjatë të shtunës ka qëndruar për një vizitë në Mal të Zi, prej nga ku ka deklaruar se presidenti malazias, Milo Gjukanoviq, do ta tërheq njohjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë menjëherë pas këtyre deklarimeve kanë reaguar nga zyra e presidentit të Malit të Zi, Gjukanoviq, duke thënë se Kosova e pavarur është interes nacional dhe se për këtë çështje nuk ka se çfarë të flitet, shkruan, vijesti.me

“Sa i përket pritjeve të patriarkut në lidhje me njohjen e Kosovës, ne nuk do ta komentojmë atë. Mali i Zi po ndjek një politikë ta jashtme të qëndrueshme, bazuar në interesat kombëtare dhe shtetërore, bazuar në vlerësimet e fuqive më të mëdha të Evropës dhe botës, dhe që kontribuon për stabilitetin e rajonit”, thuhet në përgjigjen e presidencës malaziase.

Irinej përveç deklaratave për pavarësinë e Kosovës, kishte thënë se ai në Mal të Zi është mirëpritur nga kreu i shtetit malazias. Sipas kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Gjukanoviq mirëseardhjen ia kishte përcjellë përmes mitropolitit Amfilohije, duke i thënë se i vjen keq që nuk mund të marrë pjesë në organizim.

Një gjë e tillë është demantuar plotësisht nga zyra e Gjukanoviq, duke thënë se presidenti i Malit të Zi atë kohë ka qenë në New York dhe që s’ka pasur kurrfarë komunikimi me askënd.

“ Presidenti ishte në New York atë kohë. Ne nuk kemi pasur asnjë komunikim tjetër sa i përket kësaj”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Tashmë përveç institucioneve politike të Serbisë, në luftën speciale kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës janë përfshirë edhe institucionet fetare, raporton Gazeta Express.

Për një gjë të tillë pas pjesëmarrjes në Kombet e Bashkuara ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili ka thënë se kanë lobuar mirë dhe se deri në fund të këtij viti pritet që edhe pesë shtete ta tërheqin njohjen për Kosovën.