Gjuriqit i djeg deklarata e Haradinajt kundër korrigjimit të kufijve, sulmon kryeministrin

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, se çdo kush që e hap çështjen e korrigjimit të kufijve është armik i popullit shqiptarë.
Ai ka thënë se Haradinaj duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mos mendoj se ende vazhdon të jetë viti 1999.

“Unë do të doja që shqiptarët të drejtoheshin nga njerëz më racional, megjithatë po duket që atje nuk ka përgjegjësi tek përfaqësuesit shqiptarë. Nuk është viti 1999. Të gjithë njerëzit e dinë të vërtetën, se si është krijuar shteti i Kosovës, dhe cila është politikbërja e tyre”, ka thënë Marko Gjuriq.

Sipas tij tashmë e gjithë bota është duke diskutuar se si ta zgjidh çështjen e Kosovës.

Gjuriq gjithashtu ka folur edhe për numrin e shteteve të cilat pretendohet se kanë tërhequr njohjen e Kosovës, duke thënë se ky numër tashmë është dyshifror.