‘Goal’ me super-tekst për Rashicën: Kush është Milot Rashica, lojtari që po vëzhgohet nga Liverpool?

Milot Rashica është ylli i kombëtares së Kosovës, i cili së fundmi po lidhet me një transferim të mundshëm te skuadra e Liverpool.

Anëtari i Werder Bremen ka pasur paraqitje spektakolare me skuadrën e tij, njësoj si me kombëtaren e Kosovës, duke tërhequr kështu vëmendje të madhe.

Me Bremen që janë në rrezik të bien nga liga, interesimi për Rashicën është rritur, pasi dihet se ai nuk qëndron në Bundesliga 2.

Kështu, gjiganti mediatik, ‘Goal’, versioni britanik, ka thurur një tekst për Milotin, me titullin: Milot Rashica: Raketa e Bremen, të cilin Liverpool po e ndjek nga afër.

Në vijim, ua përcjell lajmin e plotë të ‘Goal’, dhe analizën e tyre për Milot Rashicën, bazuar edhe në deklarata të trajnerit të lojtarit dhe faktorëve të tjerë të rëndësishëm në futbollin gjerman.

Milot Rashica: Raketa e Bremen, të cilin Liverpool po e vëzhgon nga afër

Reprezentuesi i Kosovës po lidhet me një transferim gjatë verës, pasi ka pasur një kampanjë mjaft të mirë në Bundesliga, me një skuadër që vuajti shumë.

Duket se ai është tipi i Liverpool. Ka më shumë sesa vetëm një golashënues me rekord impresionues në Bundesliga që është lidhur me skuadrën e Jurgen Klopp.

Sulmuesi i RB Leipzig, Timo Werner, ka flirtuar me ‘Reds’ për disa muaj, por tani sulmuesi i Werder Bremen, Milot Rashica, duket të jetë në garë, pasi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka zbuluar se Liverpool kanë kontaktuar 23 vjeçarin.

“Ka shumë kërkesa për të. E di se Liverpool nga Premierliga e duan atë, por edhe Leipzig në Bundesliga”, ka thënë presidenti i FFK, Agim Ademi për ‘Syri TV’. “Jam i sigurt se ai do të këshillohet mirë për vendimin e tij”.

Sapo këto zëra filluan, raportime në Gjermani thonin se Leipzig kishte arritur marrëveshje me reprezentuesin e Kosovës. Drejtori sportiv i Red Bull, Markus Krosche, ka hedhur poshtë zërat për një marrëveshje, por ka pranuar se ishin të interesuar për Rashicën.

“Miloti është lojtar interesant. Por, ka edhe lojtarë të tjerë interesant”, kishte thënë Krosche për ‘Bild’. “Ne jemi sigurisht gjithmonë të shqetësuar për të ardhmen e skuadrës. Por, kjo është larg asaj – fokusi mbetet te rifillimi i ligës”.

“Pas kësaj, ne do të shohim se cilat janë mundësitë që kemi, kështu që mund të arrijmë marrëveshje për temën, në terme konkrete”.

Rashica sigurisht se do të jetë i kërkuar gjatë verës, sidomos nëse Bremen bien nga liga, një dekadë pasi ata luanin në finalen e Ligës së Evropës. Werder kanë ngecur në sezonin 2019/20 dhe janë në vendin e parafundit në Bundesliga, përkundër përkushtimit të Rashicës me shtatë golat e tij dhe katër asistimet në 20 ndeshje, duke arritur një kontribut për gol në çdo 157 minuta.

Djathtaku ka luajtur në sulm ose prapa sulmuesit, por ka qenë më i mirë në krahun e majtë, duke depërtuar nga këmba e tij e preferuar për të gjetur gjuajtjen ose ndonjë shok skuadre. Për fat të keq, shumë nga shokët e tij kanë qenë të paaftë, me Bremen që fitoi vetëm katër ndeshje të Bundesliga gjatë gjithë sezonit.

Rashica ka qenë një lojtar yll i rrallë, në një skuadër të tmerrshme, jo vetëm duke dhuruar më së shumti gola e asistime për Bremen, por edhe duke kompletuar më së shumti driblime, duke regjistruar më së shumti gjuajtje drejt golit, më së shumti prekje në zonë dhe duke krijuar më shumë shanse se secili shok skuadre.

Të jesh kontribuesi më i madh i Bremen nuk është mjaftueshëm për anësorin që njihet si ‘Raketa’, pasi ai i ka vendosur vetes synime edhe më të mëdha.

“Unë gjithmonë provoj të shënoj aq gola sa është e mundur. Por ka të bëjë gjithçka me ndihmën për skuadrën dhe suksesin”, ka thënë Rashica për DPA. “Unë kurrë nuk jam i kënaqur. Gjithmonë dua më shumë”.

“Kur kam shënuar 10 gola, doja të shënoja 15. Kur arrija 15, doja 20. Si sulmues, gjithmonë dëshiron të shënosh sa më shumë gola që të jetë e mundur. Mendoj se kam bërë mirë, por shpresoj të shënoj edhe disa gola të tjera këtë sezon”.

Kompletimi i këtij sezoni dhe qëndrimi në Bundesliga është gjëja e vetme në mendjen e tij për momentin, me 23 vjeçarin që refuzon të lejojë t’i ikën vëmendja te zërat e transferimeve që e lidhin me Liverpool dhe Leipzig.

“Nuk po mendoj për atë aktualisht”, vazhdonte ai. “Ne kemi shumë më shumë gjëra të rëndësishme para nesh. Në futboll, nuk mund të planifikosh shumë për të ardhmen, gjithsesi. Për momentin, jam i koncentruar vetëm në Werder Bremen, që të rikthehemi”.

Rënia nga liga do të ishte goditje e madhe për statusin e klubit të Werder. Jo vetëm për aspektin financiar por edhe siç insiston ‘Bild’, për 38 milionët e Rashicës, që klauzola e tij bie në 15 milionë euro, nëse ata bien nga liga.

Edhe nëse ata qëndrojnë në ligë, me shumë gjasë Rashica do të largohet. Trajneri i Werder Bremen, Florian Kohfeldt, beson se sulmuesi i tij është talent spcial, dhe ndjehet se ai do të ketë sukses kudo që shkon, edhe nëse është Premierliga apo La Liga.

“Ai është lojtar që mund të vendos ndeshje në Bundesliga”, ka thënë Kohfeldt për ‘Tagesspiegel. “Ti nuk gjen shpesh këtë. Miloti ka aftësi të shkëlqyera: në shpejtësi, në shënimin e golave, në pasime. Rashica do të përshtatej mirë në Angli me shpejtësi, por edhe me stilin e lojës në Spanjë”.

Me vetëm tetë ndeshje të mbetura në Bundesliga, Werder Bremen qëndron me pesë pikë nga zona e rënies së ligës, dhe me nëntë pikë larg sigurimit të qëndrimit, dhe kjo do të kërkojë një mrekulli nga ‘Gjelbër-bardhët’ për të qëndruar.

Rashica është njeriu i vetëm i aftë për të bërë këtë mrekulli, por në secilën rrugë, ‘Raketa’ pritet të largohet gjatë kësaj vere.