Granit Xhaka heq dorë nga bonuset te Arsenali për t’u bashkuar me Romën

Mesfushori shqiptar, ranit Xhaka është aq i etur të transferohet te Roma saqë ai thuhet se vendosi të heqë dorë nga bonuset e tij te Arsenali për t’u bashkuar me Jose Mourinhon në kryeqytetin italian.

Mourinho ka bërë që Xhaka të jetë prioritet i transferimeve këtë verë dhe të dy klubet janë afër arritjes së një marrëveshje rreth kalimit të lojtarit në Romë.

Gjigantët e Serie A i kanë ofruar Arsenalit 15 milionë euro për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit i cili u transferua në Emirates në një marrëveshje prej 45 milionë eurosh nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.

Sipas mediumit La Gazzetta dello Sport, kapiteni i Arsenalit tashmë ka rënë dakord për kushtet personale me klubin Giallorossi.

Ai do të nënshkruajë një marrëveshje katër-vjeçare, me fitime prej 2.5 milionë euro në vit dhe tashmë i ka informuar Topçinjtë se ai dëshiron të transferohet në Romë.

Përfaqësuesi i Zvicrës ka bërë edhe më shumë, duke i thënë klubit të tij se ai do të heqë dorë nga bonuset tij nga sezoni 2020-21 për ta bërë më të lehtë marrëveshjen midis dy klubeve.

Kontrata e mesfushorit shqiptar me Arsenalin skadon në qershor të vitit 2023, ndërsa ai ka shënuar 13 gola dhe 20 asistime në 220 paraqitje me Topçinjtë.