Guardiola e mbron Kloppin

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka mbrojtur rivalin e tij në Liverpool, Jurgen Kloppin, pasi ai u kritikua për mënyrën se si e festoi golin e fitores në ndeshjen kundër Evertonit. Guardiola thotë se ai e kupton reagimin emocional të Kloppit.
Në stadiumin Anfield dje u zhvillua derbi lokal mes Liverpoolit dhe Evertonit. Për skuadrën e Jurgen Kloppit ishin shumë të rëndësishme tre pikët e kësaj ndeshje për të mos mbetur shumë larg Manchester Cityt

Deri në fund të ndeshjes, asnjëra nga dy skuadrat nuk kishte arritur të shënonte ndonjë gol, përkundër disa rasteve të mira, dhe dukej se Liverpooli i Kloppit do t’i humbiste dy pikë shumë të rëndësishme në këtë ndeshje.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Pak para se të përfundonte ndeshja, Divock Origi arriti ta shënojë golin e fitores. Ky gol shkaktoi një festim të madh nga ana e Kloppit, i cili vrapoi në fushë. Kjo gjë mori shumë kritika nga publiku pasi që konsiderohej se Kloppi nuk kishte treguar respekt ndaj kundërshtarit.

Edhe Guardiola kishte marrë reagim të ngjashëm sezonin e kaluar, kur Raheem Sterling e kishte shënuar golin e fitores në minutën e fundit në ndeshjen kundër Southamptonit. Mirëpo, ai thotë se ai është penduar për atë veprim të tij.

“Unë festova në atë mënyrë kundër Southamptonit. Kishte shumë emocione në ato momente. E di se pasi e bëra, nuk isha i lumtur që e kisha bërë. E kuptoj trajnerin e Evertonit, Marco Silvën, e kuptoj edhe ish-trajnerin e Southamptonit, Mauricio Pellegrinin, por kështu është futbolli”, ka thënë Guardiola.

“Është një sport emocional, me gjithçka që ndodh në zemrën tënde dhe në mendjen dhe trupin tënd. Unë flas për vete, por duhet të tregosh respekt për të tjerët”.