Hajdari pret propozimet për pako më të mirë për rimëkëmbjen ekonomike

Lidhur me rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, anëtarët e grupit koordinues mbajtën takimin e parë, ku adresuan çështjet ekonomike dhe problemet me të cilat po ballafaqohet sektori privat si rrjedhojë e pandemisë.

Ky Grup Koordinues është themeluar në takimin e 11-të të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, nën udhëheqjen e Kryeministrit Kurti, të mbajtur me 14 prill 2020.

Përfaqësuesit e odave ekonomike dhe anëtarët tjerë të këtij grupi koordinues prezantuan lidhur me vështirësitë e bizneseve vendore gjatë kësaj periudhe, me sugjerimet dhe qasjen e tyre shumë bashkëpunuese me ministren Hajdari dhe kolegët e saj nga Qeveria Kurti, për adresimin e humbjeve ekonomike, me ide konkrete të tyre për rimëkëmbjen ekonomike të vendit tonë.

Gjatë takimit, ministrja Hajdari dhe zv/ministri Ilir Aliu njoftuan për veprimet e Qeverisë Kurti lidhur me adresimin e kërkesave të mëhershme të përfaqësuesve të bizneseve, të cilat janë adresuar përmes Pakos Fiskale Emergjente. Ministrja Hajdari shtoi se po ashtu të gjitha shqetësimet dhe pyetjet e ngritura nga përfaqësues të bizneseve janë adresuar nga ajo, në grupin punues ndërministror, të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur me masat e ndërmarra gjatë kohës së pandemisë COVID 19. Ministrja Hajdari theksoi se këto kërkesa janë marrë parasysh edhe për hapjen e tanishme graduale të bizneseve në fazën e parë, dytë dhe të tretë, ku përmendi se shumë veprimtari ekonomike janë lejuar të fillojnë punën, por me kujdes të shtuar. Te gjitha këto faza do t’i përshtaten situatës së pandemisë COVID-19.

Ministrja Hajdari i inkurajojë të gjithë pjesëmarrësit që të vazhdojnë t’i paraqesin propozimet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre për të adresuar problemet ekonomike me qëllim për të elaboruar një pako sa më të mirë për rimëkëmbjen ekonomike.

Ministrja Hajdari i falënderoi të gjithë për takimin frytdhënës, me shumë inpute dhe i siguroi se asnjë kërkesë nuk do ta lëshojë pa e shqyrtuar.

Takimi u përmbyll me pajtimin e të gjithë anëtarëve për vazhdimin e këtyre takimeve, në baza të rregullta dhe raportim të afërt te Kryeministri, përgjatë shqyrtimit të opsioneve më të përshtatshme për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht gjer në përfundimin e pandemisë COVID -19.

Po ashtu, në këtë takim u arrit pajtueshmëria e përbashkët që nga kjo platformë e grupit koordinues të krijohen grupe teknike për adresimin e çështjeve sektoriale në ekonomi/industri, çështjeve financiare dhe çështjeve tjera për të sjellë analizën me konkludimet sa më relevante për dizajnimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.