Hapen bastore e kazino të reja në Ferizaj, Komuna paralajmëron mbylljen

Organizata joqeveritare “Lëvizja Demokratike” në Ferizaj, nëpërmjet një komunikate për media, të enjten, ka reaguar ndaj disa bastoreve sportive dhe ndaj disa kazinove të cilat janë hapur gjatë periudhës së fundit kohore.

Sipas kësaj OJQ-je, qeverisja komunale nuk po arrin ta ndalojë këtë veprimtari, e cila po e degradon shoqërinë

Kjo OJQ ka sqaruar se para pak kohësh një kazino është hapur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” me një distancë shumë afër shkollës fillore “Gjon Serreçi”, pastaj një tjetër 200 metra afër Gjykatës Themelore në qytet, ndërkaq një tjetër 300 metra afër Stacionit të Policisë.

Nga ana tjetër, në Komunën e Ferizajt kanë thënë se gjatë ditëve në vazhdim së bashku me Policinë e Kosovës do të nisin një aksion për mbylljen e disa kazinove të reja, të cilat janë hapur gjatë periudhës së fundit kohore pa ndonjë leje apo dokument nga komuna.

Ndërkaq sipas OJQ “Lëvizja Demokratike” gjatë kësaj qeverisjeje në qytetin e Ferizajt kanë nisur të “lulëzojnë” kazinotë në çdo cep të qytetit.