Haradinaj: Amerika flet vetë, nuk ka nevojë Thaçi të flasë për të

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me krerët e shtetit dhe ekipin negociator, ku mori pjesë edhe presidenti Thaçi ka folur para gazetarëve rreth diskutimeve që kanë pasur.

Haradinaj ka thënë se rezoluta për dialogun me Serbinë, e përpiluar nga Ekipi Negociator do të dërgohet në parlament për miratim.

I pyetur rreth deklaratave të presidentit Thaçi rreth prishjes së raporteve me SHBA-në shkaku i taksës, Haradinaj është përgjigjur shkurt.

“Amerika flet vetë, as presidenti as unë apo dikush tjetër nuk është zëdhënës i Amerikës, andaj nuk kemi nevojë të flasim për ta”, ka thënë Haradinaj

Kujtojmë se sugjerimet për pezullimin e taksës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë deklaruar edhe në letrën e fundit që i është dërguar presidentit Thaçi, e cila i është drejtuar tre krerëve të shtetit.

Haradinaj në fund ka theksuar se procedurat e mëtutjeshme të Ekipit Negociator do të kryhen së shpejti dhe partitë që nuk kanë qenë pjesë e përgatitjeve, kontributin e tyre do të mund t’a japin në Kuvend, duke e mbështetur ose jo platformën e dialogut.