Haradinaj nga Gjilani thotë se Kosova do të kalojë edhe filtrin e Speciales

Saktësisht 1 vit më parë, Kosova ndodhej nën presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për tu tërhequr nga iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Përveç 43 deputetëve nënshkrues të nismës për këtë veprim, me izolim kërcënohej edhe i mbarë vendi.

12 muaj më vonë, Kosova po ballafaqohet me punën e institucionit plotësisht funksional, ligjërisht të njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Dy prej ish-komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, janë ftuar që të hënën, të paraqiten pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për intervistim, ndërsa ftesa kanë pranuar edhe tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Siç e ka konsideruar në vazhdimësi, kryeministri Ramush Haradinaj, edhe një herë tjetër e quajti të padrejtë këtë institucion, por shprehu besimin se në fund, ish-krerët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.

Haradinaj është pyetur edhe për taksën për produktet serbe, dhe sipas tij, ka nisur një fushatë në kundërshtim të saj, por pavarësisht kësaj, taksa do të mbetet.

Nga Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, Haradinaj foli edhe për Luginën e Preshevës, për çka ka thënë se nuk do të bëhet pazar me të, pasi përfshirja e saj do të mund të paraqiste rrezik për arritjet e deri tashme.

në Gjilan qëndroi për homazhe te lapidari dhe varrezat e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët ishin vrarë në vitin 1984 nga forcat Serbe.

Kjo kishte shënuar një ngjarje të veçantë dhe kthesë të rëndësishme, duke qenë përballja e parë e armatosur.