Haradinaj nuk u tregoi studentëve nëse do të hiqet taksa

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, priti në takim 120 studentë nga Vjena dhe Venediku, programi i studimeve “Europian Master in Human Rights and Democratisation”.
Ai nuk e ka parë të arsyeshme t’i flet atyre për temën me të diskutuar në vend, taksën dhe takimin që dje kishte me Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn

Haradinaj, mes tjerash i ka njoftuar ata për bashkëjetesën ndëretnike, arsimin, proceset politike të vendit, demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, dhe ku Kosova si vend me diversitet kulturor, etnik dhe fetar, është shtëpi e përbashkët e të gjithëve, ku respektohen të drejtat e secilit.

Kryeministri Haradinaj, duke iu uruar një mirëseardhje në Kosovë, para studentëve nga Vjena dhe Venediku, tha se kanë rastin të mësojnë shumë për Kosovën.

Kryeministri Haradinaj iu tregoi studentëve rreth punës së tij si kryeministër, por edhe si një familjar, duke thënë se ka një vizion për Kosovën, vendin me një popullatë të re.

“Sot, rritja ekonomike për Kosovën është më e madhja në regjion, luftën me korrupsionin nuk e kemi fituar ende, mirëpo kemi bërë progres”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria që udhëheqë ai, është Qeveri që implementon dhe kanë punuar me të gjithë, partitë politike, etnitete të ndryshme.

Kryeministri informoi studentët se Kosova është multietnike dhe qëllimi i saj është integrimi euroatlantik, sepse i përket familjes evropiane dhe është në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“NATO-ja, e udhëhequr nga Amerika dhe aleatët tjerë, në vitin 1999, kanë ndihmuar Kosovën që të ndalet tragjedia mbi të”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka pasur karakter humanitar.

Kryeministri Haradinaj iu është përgjigjur interesimit të studentëve për shumë çështje të Kosovës, si zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet tjera, me theks të veçantë marrëdhëniet me Serbinë, perspektiva e të rinjve, legjislacioni, dhe shumë tema tjera.

Në interesimin e studentëve për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë, kryeministri Haradinaj potencoi faktin se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike prej 4.3 për qind dhe si vend Kosova ka shumë potencial dhe resurse njerëzore pasi ka popullatë të re dhe resurse natyrore.

Më tej, kryeministri Haradinaj vlerësoi se Kosova ka bërë progres në hartimin e legjislacionit i cili i hap mundësi të mëdha zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte, pasi ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike. Edhe sa i përket arsimit, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e fokusuar në përmirësimin e legjislacionit për mësimin dual, dhe përgatitjen e kuadrove për tregun e punës pasi që bëjnë pjesë në Evropë dhe tregu i punës është mjaft i madh.

Studentët shprehën interesimin e tyre edhe për të drejtat e komuniteteve që jetojnë në Kosovë por edhe për barazinë për komunitetin LGBTI, për këtë kryeministri Haradinaj tha se në Kosovë komunitetet kanë të drejta të avancuara, po ashtu edhe sa i përket komunitetit LGBTI, vlerësoi se temat tabu marrin kohë, por që kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj edhe njëherë shprehu pakënaqësinë për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian edhe pse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Komisioni Evropian.