Haradinaj pas takimit me zyrtarin britanik nuk e përmend pezullimin e taksës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore

Pas këtij takimi, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se, Kosova është vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon dhe se sipas tij, Kosova thellësisht është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë.

Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona.

Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.