Haradinaj për aksidentin në Kroaci: Si popull, hidhërimet dhe tragjeditë e mëdha i kemi kaluar bashkë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe një herë ju ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre në aksidentin në Kroaci

Haradinaj ka shkruar në Facebook se shqiptarët i kanë kaluar bashkë çdo herë hidhërimet e tragjeditë e mëdha. 

“Si popull, gëzimet dhe hidhërimet gjithmonë i kemi kaluar bashkë. Ashtu edhe tragjeditë e mëdha. E tragjedia më e madhe është që ne jetojmë të ndarë, në shumë shtete e kontinente. Të nderuara familje Sylmetaj, Zhubaj, Binakaj, Gjotaj, Kolmekshaj, Kikaj, Iprijaj, Kastrati, Bellanica, Hoxha, Rrustemi, Kurtaj dhe Maloku. Ju u ndatë nga familjarët tuaj, të cilët do të pushojnë përgjithmonë në Atdhe. Por, dhembjen tuaj e kemi bashkëndjerë të gjithë ne. Greçina, Deva, Baballoqi, Juniku, Lipoveci, Vitomirica, Malësia e Vogël, Krusha e Madhe, Randobrava, Pakashtica e Smolica, nuk ishin të vetme në dhembje. Ato kishin solidaritetin e tërë Kosovës, e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, ka shkruar Haradinaj. 

“Naseri, Valentina, Erlinda, Leunora, Arlinda, Kujtimi, Anjeza, Hameti, Sevdaili dhe Gjyla, do të jetojnë gjithmonë në kujtimin tonë. Në kujtimin e mëngjesit të kobshëm të 25 korrikut. Lusim Zotin që kurrë më të mos kemi të tilla tragjedi. Askush nuk mund të kompensojë humbjen tuaj, por shpresoj se në familjet tuaja do të ketë vetëm gëzime, të cilat do të jenë edhe gëzim për të gjithë ne”, ka shjkruar kreu i AAK-së.