Haradinaj: S’ka tërmet që na ligështon

“Ne jemi unikë si kurrë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, të majtë e të djathtë, pushtet e opozitë, që të ngrihemi mbi interesat parciale dhe t’u dalim në ndihmë të gjithë atyre njerëzve që kanë zi sot dhe frikë për të nesërmen”. Kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e organizuar për ndarjen e dekoratave nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për njësitet e kërkim- shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës dhe ekipet e vtjera të shpëtimit, që morën pjesë në aksionin e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se të gjithë janë të nderuar sot nga presidenti shqiptar, Ilir Meta, e veçmas për këtë nder që na e krijoi Ushtria jonë, e cila me profesionalizëm e në heshtje, pa mburrje e vetëreklamë kreu misionin e saj të shenjtë kushtetues dhe patriotik, që ia ka besuar populli i Kosovës!”

Fillimisht, në nderim të viktimave që humbën jetën në tërmetin që goditi Shqipërinë më 26 nëntor të këtij viti, është mbajtur një minutë heshtje.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, vlerësoi lart kontributin e të gjitha njësiteve nga Kosova që i dolën në ndihmë bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, duke theksuar se Kosova reagoi si shtet me të gjitha resurset humane, teknologjike e financiare, që në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit fatal, me ushtrinë dhe policinë e saj, me njësitet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile.

“Në të njëjtën ditë në Shqipëri janë nisur ekipet e çetave të shpëtimit të Trepçës dhe Artanës; njësia e zjarrfikësve nga Korporata Energjetike e Kosovës; nga komuna e Suharekës, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve të kontraktuara nga Ministria e Transportit, që dua t’i falënderoj nga zemra, duke u thënë: Bravo u qoftë!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.