Haradinaj thotë se Kosova ka vullnet të thellojë bashkëpunimet me Norvegjinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Norvegjisë, Jens Erik Grondahl.

Me të thotë të ketë biseduar edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.

E ka falënderuar për mbështetjen që ky shtet i jep Kosovës, dhe thotë se Norvegjia është ndër të parat që njohu pavarësinë.

“Norvegjia ishte ndër të parat që u rreshtua përkrah shteteve që njohën pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë në mbështetje të fuqishme të vendit tonë në proceset euroatlantike dhe të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në takim mikpritës me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Eric Grondahl, duke i shprehur mirëseardhje në Kosovë, ia konfirmova vullnetin tonë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe raporteve miqësore ndërmjet shteteve tona. E njoftova ambasadorin e ri me proceset aktuale politike në vend, me fokus përgatitjet për zgjedhjet e gjashtë tetorit, etapë gjatë së cilës Kosova po dëshmon maturi dhe pjekuri politike”, ka shkruar Haradinaj.

Ambasadori i ri para pak ditësh u takua me presidentin Hashim Thaçi dhe ia dorëzoi kredencialet.