fbpx

Haxhiu: Konferenca në Munih është shumë e rëndësishme, përballë Serbisë duhet një qëndrim unik

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se pavarësisht se mund të ketë mospajtime mes partive politike, përballë shtetit të Serbisë duhet të ketë një qëndrim unik. Sipas saj, kur është çështja tek interesi nacional, kuvendi e qeveria duhet të kenë konsensus të gjerë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me anë të një letre zyrtare ka ftuar sot në takimin presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.

Mirëpo ky i fundit ka njoftuar se tanimë veç ka udhëtuar për në Munih. Albulena Haxhiu për KosovaPress, thotë se mund të ketë mospajtime mes partive politike, megjithatë sipas saj, përballë Serbisë duhet të ketë një qëndrim. Haxhiu: Kjo konferencë është shumë e rëndësishme, duhet të ketë koordinim të interesit nacional

“Ne kemi thënë se qeveria e re do të ketë një qasje tjetër në qeverisje por edhe në koordinimin tonë me institucionet kur bëhet fjala për çështjet që janë në interes nacional. Në këtë kuptim ajo konferencë është jashtëzakonisht e rëndësishme, në këtë drejtim sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dialogun e drejton, konkretisht politikën e jashtme, kryeministri i Republikës së Kosovës në konsultim me presidentin, dhe ne jemi duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushteutese”, thotë ajo.

Edhe të mos ishte ky aktgjykim, kur bëhet fjalë për raste të tilla, Haxhiu thotë se do të duhej konsensus i gjerë, qoftë i kuvendit por edhe i qeverisë.

Në këtë konferencë pjesëmarrës do të jetë edhe i dërguari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Konferenca do të mbahet nga data 14 shkurt deri më datën 16 shkurt, ku do të marrin pjesë krerët e shteteve më të fuqishme evropiane.