Heshtje zgjedhore sot në Maqedoni

Në Maqedoni, ka përfunduar fushata për zgjedhjet presidenciale e nga mesnata, ka nisur edhe heshtja zgjedhore.
Kandidati i përkrahur nga Aleanca e Shqiptarëve dhe “Besa”, Blerim Reka e përfundoi fushatën e tij me tubimin të enjten në Tetovë, ndërsa ai i LSDM-së dhe koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski e mbylli dje me mitingje në Strugë e Ohër.

Sot, një ditë përpara zgjedhjeve, të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë 1.640 persona në burgjet e vendit dhe persona që janë në arrest, shtatë të shpërngulur brenda vendit, si dhe gati 3600 të sëmurë e të moshuar të cilët këtë e kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore, shkruan tch.

Marrëveshja e Prespës, emri i ri i shtetit, anëtarësimi në NATO dhe në BE, zhvillimi ekonomik, raportet ndër-etnike dhe politikat për rininë ishin temat kyç të fushatës presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Në 21 prill qytetarët maqedonas do të votojnë për njërin nga tre kandidatët për president, ndërsa në 5 maj është raundi i dytë i votimit.