Hoti-Thaçit: Mos e shfrytëzo Rugovën për të përligjur idetë tua për ndarje të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, pas deklarimeve të këtij të fundit, se idenë për korrigjim të kufirit fillimisht e ka mësuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Hoti në reagimin e tij e ka bashkëngjitur edhe një intervistë të Rugovës. Sipas tij ish-presidenti e ka refuzuar gjithmonë idenë për ndarjen territoriale të Kosovës.

Ai thotë se Thaçi nuk mund të përligj veprime e veta kundër Kushtetutës duke u thirrë në atë se çfarë ka thënë Rugova.

“Presidenti Rugova e ka refuzuar kategorikisht idenë e ndarjes territoriale të Kosovës. Kjo është e vërteta. Presidenti aktual nuk mund të thirret në deklarimet e Presidentit Rugova për të përligjur aktet e veta kundër kushtetuese”, ka thënë Hoti.

Hoti i ka thënë Thaçit që për këtë gjë ta pyes edhe Blerim Shalën, i cili e ka realizuar edhe intervistën.

“Lexoni në vijim se çfarë thotë Presidenti Rugova në një intervistë për gazetën ‘Zëri’, në të cilën e ka zhvilluar këshilltari aktual i Presidentit Thaçi, z.Blerim Shala, në vitin 2004. Le ta pyes z.Shala, të cilin e ka në zyre”, ka shkruar ndër të tjera zyrtari i lartë i LDK’së.

Presidenti Thaçi sot ka qenë i ftuar në një konferencë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe Zhvillim me temën ‘Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’. Ai ka thënë se për idenë e korrigjimit të kufijve kanë folur edhe ish presidenti Ibrahim Rugova, Nexhat Daci i Lufti Haziri.

Në këtë konferencë ka qenë i ftuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se askush nuk ka të drejtë të falë tokën e Kosovës.

“Edhe po të ngriheshin dëshmorët nga varret nuk do të kishin të drejtë të falnin tokën, e lëre më të gjallët”, ka thënë Kurti.