Hyseni: Nëse Kurti se anulon shkarkimin e Veliut, votëbesimi i qeverisë është opsion

Shkarkimi i ministrit të LDK-së, Agim Veliu, ka hapur të gjitha opsionet nga kjo parti edhe për rrëzim të qeverisë. LDK nuk përjashton mundësinë e kërkimit të mocionit të votëbesimit për qeverinë Kurti, në rast se nuk do të përfillet ultimatumi i kryetarit Isa Mustafa që deri në fund të javës të anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut dhe të marr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës.

Kështu thotë për KosovaPress, anëtari i kryesisë së LDK-së Skender Hyseni, sipas të cilit vendimi i kryeministrit Albin Kurti është në shpërputhje me marrëveshjen e koalicionit LVV-LDK. Për këtë situatë ai thotë se janë hapur opsione të reja.

“Është situatë e re e krijuar dhe të gjitha opsionet janë të hapura, edhe për mocion votëbesimi. Kryeministri Kurti ose do të përfill qëndrimet e LDK-së ose duhet të gjejë mënyra për të përkujdesur për stabilitet të qeverisë. Është detyrë e kryeministrit Kurti të mendoj për stabilitetin qeverisës, duke respektuar partnerin qeverisës dhe qëndrimet e partnerit qeverisës, të cilat ai nuk po i respekton”, tha Hyseni.

Sipas tij, ky vendim që ka marrë sot kryeministri Albin Kurti për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu është i papranueshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Shkarkimi është i papranueshëm, është krejtësisht arbitrar dhe natyrisht që LDK në asnjë variant nuk do të pranojë këto vendime të kryeministrit Kurti”, shtoi Hyseni.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, përmes një kumtese për media, thotë se mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është deklaruar kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.