I dënuari me vdekje e zgjodhi karrigen elektrike para mbytjes me injeksion

Një i burgosur nga Tennessee i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ekzekutuar përmes karriges elekrike, pasi kishte thënë se mbytja me injkesion helmues do t’i shkaktojë vuajtje. David Earl Miller është personi më i fundit që ka kërkuar t’i shmanget dënimit me injeksion vdekjeprurës pasi disa raste tjera kishin shkuar mjaft keq.
Ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës është mënyra më e zakonshme shtetërore në SHBA për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje nga gjykatat. Sidoqoftë, të dënuarit të cilët i kanë kryer krimet para vitit 1999, kanë të drejtë që të zgjedhin mes ekzekutimit me karrige elektrike dhe ekzekutimit me injkesion vdekjeprurës.

Ai u shpall i vdekur në orën 19 e 25 minuta të së enjtes, ndërsa ishte gjetur fajtor për vrasjen e një vajze 23-vjeçare, e cila ishte e sëmurë mentalisht. Vrasja kishte ndodhur në vitin 1981, ndërsa i dënuari kishte qëndruar 36 vjet në paraburgim, para se të merrej vendimi përfundimtar për dënim me ekzekutim. I ekzekutuari kishte thënë se e refuzon ekzekutimin me injeksion sepse një i ekzekutuar tjetër raportohet se ka vuajtur shumë për 20 minuta nga injeksioni, para se të ndërronte jetë.

Ekzekutimi me injeksion është ekzekutim përmes kombinimit të disa helmeve, të cilat besohet se nuk shkaktojnë dhimbje. Sidoqoftë, disa raste në të kaluarën e kanë dëshmuar të kundërtën, ndonëse kushtetuta e SHBA-së e ndalon ekzekutimin në mënyrë mizore, shkruan “BBC”.