I ka mbijetuar dy luftërave botërore dhe i ka shërbyer spiunazhit sovjetik, hekurudha e trenave me avull është ende funksionale

Në pyjet e dendura të maleve qendrore të Gjermanisë, Mittelgebirge, shtrihet një hekurudhë e jashtëzakonshme që i ka mbijetuar luftërave botërore, përmbysjeve politike, tensionit, shtypjes së Luftës së Ftohtë, si dhe kërcënimeve të përsëritura për ta mbyllur atë.

Pak e njohur jashtë Gjermanisë, hekurudha Harz Narrow Gauge (HSB), është një nga vendet e pakta në botë në të cilën ende operojnë trenat me avull, gjatë gjithë vitit, jo vetëm për turistët, por si një pjesë e integruar e rrjetit të transportit të rajonit.

I propozuar për herë të parë në vitin 1869, hekurudha shkaktoi protesta të shumta asokohe nga kritikët e shqetësuar për ndotjen e mjedisit, që ky projekt mund të shkaktonte. Pavarësisht kësaj, linja e hekurudhës, u hap më 27 mars 1899 dhe shpejt u bë një atraksion i madh turistik. Në këtë vend, u ngrit dhe kulla e parë transmetuese televizive në botë, e përfunduar në 1936, që transmetoi drejtpërdrejt Lojërat Olimpike (të cilat u mbajtën në Berlin atë verë).

Pas Luftës së Dytë Botërore, vendndodhja strategjike e Brocken në ndarjen e re midis Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore, do të ndryshonte funksionin e hekurudhës. Ajo u mbajt si një rrugë furnizimi për trupat dhe agjentët e inteligjencës ruse, dhe nuk do të hapej më për turistët deri në vitin 1990. Instalime të shumta ushtarake u ndërtuan rreth zonës, duke përfshirë dy stacione të fuqishme dëgjimi, të koduara Yenisei dhe Urian, që drejtoheshin nga inteligjenca ushtarake Sovjetike dhe siguria e shtetit të Gjermanisë Lindore.

Objektet ishin në gjendje të kapnin pjesën më të madhe të trafikut radiofonik të Evropës Perëndimore, duke luajtur një rol kryesor në spiunazhin e Luftës së Ftohtë. Në anën perëndimore, trupat britanike dhe shërbimet e inteligjencës vëzhgonin po aq afër fqinjët e tyre, duke përfituar nga mundësitë e shkëlqyera të skive në dimër. E gjithë zona u mbulua me kulla vrojtimi dhe u mbrojt nga gardhe të larta, tela, fusha të minuara dhe kurthe – një manifestim i “Perdes së Hekurt”.

Instalimet ushtarake nisën të shkatërroheshin gradualisht, që kur ushtari i fundit rus la Brocken në mars 1994. Gjatë kësaj kohe, hekurudha luajti rolin e saj në heqjen e pajisjeve të tepërta, materialeve dhe ushtarëve nga mali. Më vonë, pista u rinovua dhe trenat e veçantë me avull, u kthyen në një atraksionin turistik.