Ibrahim Kadriu, fitues i Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Fitues i Çmimit për Vepër Jetësor e“Azem Shkreli” sot është shpallur Ibrahim Kadriu, shkrimtar poet, dramaturg, i pranishëm në letrat shqipe në Kosovë e në viset shqiptare qe më shumë se gjysmë shekulli
Krijimtaria e tij përfshin më shumë se 50 vepra letrare, ndër të cilat bëjnë pjesë gjini dhe zhanre të ndryshme letrare dhe shkrimore, si: romane, novela, tregime, drama, poezi, kritike letrare, eseistikë. Ibrahim Kadriu si shkrimtar karakterizohet për origjinalitetin e tij, me tema shumë interesante, që në përgjithësi janë në frymën kombëtare, që e edukojnë brezin e ri. Ky çmim ka vlerë financiare prej pesë mijë eurosh.

Ministria e Kulturës çmimin për veprën më të mirë në prozë ”Anton Pashku” për vitin 2018 i ka ndarë autorëve Sali Bytyçi për veprën “Gjunjët” dhe Florin Kelmendi për veprën “Vrasje në kornizë”.
Sali Bytyçi me veprën e tij në prozë “Gjunjët” shfaqet si një Kafkë i shekullit XXI, i cili lexuesit i jep një dëshirë të pangopur për t’i lexuar tregimet e tij. Romani “Vrasje në kornizë” e Florim Kelmendit karakterizohet për gjuhën, kompozicionin, mënyrën e përhapjes së karaktereve të personazheve, tematikën dhe mbi të gjitha mesazhet artistike që përçohen te lexuesit. Ky çmim shpërblehet me vlerë monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” u nda përgjysmë për shkrimtarët:
Merxhan Avdyli për veprën “As engjëll as djall” dhe Çun Lajçi për veprën “Çakorr, ti vdekje e mirë”. Merxhan Avdyli përmes përmbledhjes me poezi “Si engjëll si djall” ka sjellë mënyrën e veçantë të përjetimit, që e kalon kohën e kaluar në kohën e sotme si nostalgji, ndërsa përjetimin e tashmë si petkun poetik. Çun Lajçi me përmbledhjen poetike “Çakorr, ti vdekje e mirë” ka paraqitur shoqërimin e revoltës së procesit nëpër të cilën ka kaluar Kosova. Ky çmim ka vlerën monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Juria ka vlerësuar se për këtë vit Çmimi për fëmijë dhe të rinj ”Vehbi Kikaj” t’i ndahet autorit Avdush Canaj për veprën “Planeti i buzëqeshjes”. Vëllimi poetik “Planeti i buzëqeshjes” i poetit Avdush Canaj është një prurje e suksesshme e këtij autori, zotërimi i të cilit është në nivel për t’u lakmuar. Çmimi shoqërohet me një shpërblim në vlerë financiare prej dymijë e pesëqind eurosh.