Infermierët kërkojnë rritje pagash nga qeveria: 18 euro rritje janë shumë e vogël, më e vogël se transferi prej 2 milionë eurove

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë kanë kërkuar rritje pagash për ndërrimet e natës, punës gjatë vikendit dhe gjatë festave.
Ata po ashtu i kanë përmendur kryeministrit, Avdullah Hotit dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, skandalin e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga thesari i shtetit.
“Besojmë se është koha që asnjë infermier të mos i përgjigjet ftesës për punë me COVID-19, derisa të rritet pagesa e ndërrimeve të natës. Nga 18€ në 36€ rritje është implikim buxhetor shumë i vogël për shtetin, ka mundësi më e vogël se transferi 8 minutësh nga Ministria e Infrastrukturës prej 2 milion eurove”, thuhet në postim.
Po ashtu, në postimin e kësaj sindikate thuhet që përderisa kryeministri, ministri i Shëndetësisë, SHKUK dhe QKUK të dalin dhe të lavdërohen se çfarë pune të mirë dhe sa mirë po e menaxhojnë pandeminë, janë ata të cilët vazhdimisht po përballen me pacientët me koronavirus, madje shtuan se edhe shumica prej tyre janë infektuar e disa prej tyre madje kanë ndërruar jetë.

“Pandemisë me COVID-19 duket se fundi nuk do i vjen tani së afërmi. Fundi i ka ardhur vetëm durimit të infermierëve të cilët dërgohen për punë me pacientë me COVID-19, infektohen derisa disa prej tyre edhe humbën jetën, duke u shërbyer pacientëve të infektuar në mënyrë që kryeministri, ministri i Shëndetësisë, SHKUK dhe QKUK të dalin dhe të lavdërohen se çfarë pune të mirë dhe sa mirë po e menaxhojnë pandeminë”, thuhet ndër të tjera në postimin e sindikatës.