Ish-diplomati firmëtar, Kotzias: Maqedonia e re, e mirëpritur në jetën tonë

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në qershor të vitit 2018 nga dy kryeministrat respektivë të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, të cilët shoqëroheshin në samit edhe nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, Dimitrov e Kotzias.
Pikërisht ky i fundit, edhe pse jo më me petkun e kryediplomatit të Greqisë, si palë nënshkruese e kësaj marrëveshjeje historike, që i jep fund një prej ngërçeve më jetëgjata në rajonin e Ballkanit, ka zgjedhur rrjetin social “Twitter” për të dhënë mesazhin e tij, pas përfundimit të votimit në Kuvendin e Maqedonisë, ku u ndryshua Kushtetuta e fqinjit ballkanik.

“Kam biseduar me Zoran Zaevin dhe Nikola Dimitrovin, duke kujtuar vështirësitë, lidhjen, tensionet, besimin e ndërsjellë dhe shpresat që kemi pasur gjatë punës për marrëveshjen. Ne ëndërruam për të ardhmen e përbashkët të të dy popujve tanë. Maqedonia e re është e mirëpritur në jetën tonë, historia duhet të jetë një shkollë, jo një burg”, shkruan Kotzias në rrjetin social.

Kuvendi i Maqedonisë miratoi të premten në mbrëmje 4 amendamentet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, duke hapur kështu rrugën për anëtarësimin në aleancën perëndimore të NATO-s, e sigurisht edhe një datë për negociatat me Bashkimin Europian.