Ish-mjeku i UÇK-së kërkon dorëheqjen e Thaçit: Po na prishë me Amerikën

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi thotë se nëse miqtë tanë ndërkombëtarë nuk duan që të takojnë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, atëherë sipas tij, kjo i bie që Thaçi po na prishë me Amerikën.

Loshi thotë se kjo është arsyeje e mjaftueshme për të dhënë dorëheqje Presidenti.

Ai shton se mbajtja peng e postit të Presidentit është mbajtje peng e vendit dhe popullit.

Postimi i plotë:

Nëse presidenti nuk e kishte ndërmend të jipte dorëheqje, nuk duhej ta ndërprente rrugën e tij për SHBA. Nëse presidenti nuk merr pjesë në dialog dhe takimi nuk mbahet për shkak të tij, kjo do të thotë se ai po e bllokon procesin e dialogut. Kjo ëshë arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqje dhe për t’i hapur rrugë vendit të vet që të ec tutje me agjendat e rëndësishme politike.

Nëse partnerët ndërkombëtarë hezitojnë, apo refuzojnë të takohen me presidentin Thaçi, kjo do të thotë se roli i presidentit në planin ndërkombëtar është inekzistent. Kjo është arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqje.

Nëse diplomatët ndërkombëtarë nuk e takojnë presidentin për shkak të aktakuzës që megjithatë është e pakonfirmuar nga Gjykata Speciale, kjo do të thotë se kjo aktakuzë është duke ushtruar efektin e plotë politik në botën demokratike karshi presidentit dhe pra, politikisht, nuk ka asnjë dallim nga një aktakuzë e konfirmuar. Kjo është arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëhrqje.

Nëse miqtë amerikanë nuk e takojnë me presidentin e Kosovës, kjo i bie që presidenti po na prishë me Amerikën. Kjo është arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqje.

Qëndrimi në një post që më nuk mund ta ushtrosh normalisht, është mbajtje peng e atij posti. Askujt nuk duhet t’i lejohet që të mbajë peng postin publik. Mbajtja peng e postit të presidentit është mbajtje peng e vendit dhe popullit të tij.

Prandaj, presidenti duhet të japë dorëheqje.