fbpx

Ish-zëvendësministrat e qeverisë së kaluar do të kompensohen me 70 për qind të pagës, 6 muaj pas përfundimit të mandatit

80 zëvendësministrat e qeverisë së kaluar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, do të kompensohen 70 për qind të pagës së fundit bazë, 6 muaj pas përfundimit të mandatit.

Bazuar në pagat e tyre, i bie se për një muaj do të marrin pagë kalimtare mujore më shumë se 800 euro, raporton KTV.

Nëse këta ish-zëvendësministra do të marrin pagat, kjo buxhetit do t’i kushtojë rreth 400 mijë euro.

Kompensimi i pagës për 6 muaj do t’u mundësohet nëse të njëjtit kanë ushtruar 6 muaj mandatin e rregullt të zëvendësministrit dhe nëse të njëjtit nuk marrin pagë tjetër nga buxheti i Kosovës.

Vendimi i së mërkurës i kryeministrit Albin Kurti për ta shfuqizuar vendimin e 2015-s për kompensimin e zëvendësministrave, nuk do të ketë efekt për ish-zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj.

Por, ky vendim do të jetë gjejë zbatim vetëm për zëvendësministrat e Qeverisë Kurti, që është thënë se do të jenë rreth 35.

Në bazë të vendimit të së mërkurës, zëvendësministrave të Qeverisë Kurti u mundësohet kompensimi i pagës 6 muaj pas mandatit, por me pagën aktuale e jo atë të pagës me rritje të Haradinajt.

Ndërkaq, Ligji për pagat në sektorin publik, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri më 30 mars, parasheh pagesën kalimtare edhe për zëvendësministrat.

“Zëvendësministri, i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej gjashtë muajsh në vlerë prej 70% të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”, thuhet në nenin 30 të këtij ligji.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, ka shfuqizuar vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagës, por këtë e ka bërë vetëm derisa të vendosë Gjykata Kushtetuese për Ligjin e pagave në sektorin publik.

Koalicioni qeverisës Vetëvendosje-LDK ka zvogëluar numrin e ministrive nga 21 në 15, ani pse fillimisht ishte premtuar se do të jenë vetëm 12 sosh.