Ishte në aheng me këngëtarin e prekur me Koronavirus, Lutfi Haziri merr vendimin

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka konfirmuar se që nga mbrëmë është vetizoluar, pasi javën e kaluar kishte qenë në ambientin e njëjtë me këngëtarin Muhamet Sejdiu, i cili rezultoi pozitiv me Koronavirus.

Haziri ka bërë të ditur se nuk kishte pasur kontakt me Sejdiun, por ai ka kërkuar nga të gjithë të pranishmit, t’iu nënshtrohen testeve dhe vetizolimit, përcjell Bota sot.

Sejdiu, javën e kaluar kishte kënduar në një ditëlindje, ku ishte i pranishëm edhe Lutfi Haziri.

Postimi i Hazirit:

Të dashur qyetarë,

Komuna e Gjilanit prej 22 shkurtit ka ndërmarrë veprimet konkrete për parandalimin e #Covid-19.

Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus.

Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor.

Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.

Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete.

Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi.

Ju përqafoj shumë!