“Islami radikal…”/ Rrezik për grusht shteti në Francë, shumica e votuesve bien dakord me gjeneralët që kërcënuan Macron

Një shumicë e votuesve francezë kanë deklaruar se pajtohen me gjeneralët e ushtrisë që kërcënuan me grusht shteti, nëse Emmanuel Macron nuk parandalon islamin radikal, sipas një sondazhi të ri.

Të mërkurën e kaluar, e përjavshmja e ekstremit të djathtë “Valeurs Actuelles”, publikoi një letër të hapur drejtuar qeverisë franceze të nënshkruar nga 24 gjeneralë në pension, e cila u pasua nga nënshkrimi i qindra ushtarakëve të tjerë.
Letra paralajmëronte për ‘shpërbërjen’ e Francës për shkak të ‘hordhive’ radikale islamike që jetonin në periferi.
Më shumë se 1.000 ushtarë në pension nënshkruan letrën, duke përfshirë të paktën 18 oficerë në shërbim, të cilët u shkarkuan nga puna.
Një një sondazh i ri i botuar nga kanali i lajmeve La Chaîne Info ka zbuluar se 58 përqind mbështesnin letrën, ndërsa 42 përqind ishin kundër.

Midis të anketuarve që votojnë për partinë e Marine Le Pen, përqindja e atyre që mbështesnin letrën u rrit në 86 përqind.
Midis votuesve për të djathtën e qendrës Les Républicains, 71 përqind ishin në favor të deklaratës, ndërsa madje edhe midis mbështetësve të Macron, 46 përqind mbështeti letrën.
Nënshkruesi kryesor ishte Christian Piquemal, 80 vjeç, i cili ishte arrestuar ndërsa merrte pjesë në një demonstratë anti-Islam në 2016.

Letra me titull “Për një rikthim të nderit të sundimtarëve tanë” e akuzon qeverinë si të paaftë për të mbrojtur vlerat franceze, dhe i bën thirrje të reagojë sa nuk është vonë:“Situata është serioze, puna që keni përpara është shumë e madhe; ndaj mos humbni kohë, dhe dijeni që ne jemi të gatshëm të mbështesim politikat, që marrin parasysh mbrojtjen e kombit”.
Letra përfundon me një kërcënim të qartë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga ushtria, në rast se nuk ndryshojnë gjërat:“Nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, polarizimi do të vazhdojë të përhapet në mënyrë të pashmangshme në shoqërinë franceze, duke shkaktuar përfundimisht një shpërthim të dhunës, dhe ndërhyrjen pasuese të shokëve tanë në detyrë, në një mision të rrezikshëm të mbrojtjes së vlerave të civilizimit tonë, dhe ruajtjen e bashkatdhetarëve tanë në territorin tonë kombëtar”.
Kryeministri Jean Castex tha se letra nga figurat ushtarake ishte “kundër të gjitha parimeve tona republikane, të nderit dhe detyrës së ushtrisë”.
Le Pen ishte ndër politikanët e parë që e mirëpriti letrën, duke shkruar: ‘Unë ju ftoj të na bashkoheni për të marrë pjesë në betejën e ardhshme, e cila është beteja e Francës.’