Iu përmend emri në kohë fushate, Elez Blakaj reagon nga Amerika

Ish-Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës i cili muaj më parë është larguar nga Kosova dhe ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, Elez Blakaj, ka shkruar një status në Facebook përmes së cilit ka reaguar ndaj fushatës parazgjedhore që po bëhet në Kosovë. Nga Amerika ku po qëndron, ai u ka dhënë një mesazh partive politike duke iu thënë se krejt çka duhet të bëjnë ato për drejtësinë është që të mos vazhdojnë ta bëjnë atë që e kanë bërë deri më tani dhe të tregojnë vullnet politik për veting nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë

“Në Kosovë kemi një realitet te çuditshëm! Po t’i dëgjosh partitë politike kur flasin për rend dhe ligj dhe kundër korrupsionit, të mbushet mendja se qytetari i ka fajet, sepse partitë politike për vetveten secila mbetët e pastër, madje e citojnë vetveten edhe si shembull!!! Krejt çfarë duhet bërë partitë politike sot për drejtësinë, është që të mos vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë siç e kanë bërë deri me sot dhe te tregojnë vullnet politik për pastrim (VETING) nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë, në mënyrë që ata/ato i cili nuk e kalojnë vetingun të mos thirren në PERSEKUTIM!”, ka shkruar Blakaj.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e fushatës parazgjedhore, por emri i tij është përmendur ditëve të fundit dhe thotë se e ndjen obligim të sqarohet për këtë.

“Kjo e fundit aq sa është tragjike është edhe qesharake …. por me sportivitet po i përgjigjëm kësaj pyetje: Kur ti kryeni dorëheqjet tjera nën betim mirësevini edhe tek unë…! Lidhur me pozitën e Kryeprokurorit, të gjithë e dimë se ka kritere, rregulla dhe procedura të veçanta (sepse është pushtet i ndarë) dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund ta caktojë dikë në këtë pozitë sepse nuk është pjesë e ekzekutivit. Andaj nëse dikush tjetër e ka kuptuar ndryshe dhe mendon se është e mundur, e ka plotësisht gabim. Ashtu qe sekserët mos të lodhen dhe as mos të frikësohen se nuk kanë nevojë të harxhojnë energji për ndonjë arsyetim, se Leken aty e kanë… Ashtu që nëse, do këtë vullnet për Veting (herët apo vonë) dhe do aplikohet parimi i Meritokracisë jam i sigurt se zgjedhje do kishte mjaftë për çdo pozitë”, ka shkruar Blakaj.

Blakaj ka shtuar se nuk ka synim t’i qaset politikës pasi sipas tij si përfaqësues i drejtësisë nuk mund të jesh i pavarur dhe i paanshëm nëse e bën një gjë të tillë.

“Po ashtu, e konfirmoj se çdo veprim i ndërmarrë, NGA KUSHDO QOFTË, i cili do t’i shërbejë drejtësisë dhe përmirësimit të saj do jem i gatshëm ta përkrahë, sepse kjo ma kujton edhe një thënie te Dr. Prof. Esat Stavilecit i cili thoshte “Më shumë e përkrahi politikën e cila i ka rrënjët në drejtësi se sa drejtësinë e cila i ka rrënjët në politikë””, ka shkruar Blakaj.

Ishte fillimisht Albin Kurti që përmendi emrin e Blakajt duke thënë se nëse emërohet kryeministër do ta kthejë në Kosove për ta bërë kryeprokuror.

Kreu i Vetëvendosjes, ka thënë “Le të shkojë Lumezi, le të vijë Elezi”, deklaratë kjo e cila ngjalli shumë debat duke thënë se nëse Kurti do të jetë udhëheqës i ekzekutivit nuk mund t’i emërojë prokurorët.

Ndaj Kurtit reagoi Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, duke thënë se ajo që ka thënë Kurti është logjikë e Prontos.