Jakup Krasniqi për udhëtimin e liderëve jashtë shtetit: Nëse rrëzohet aeroplani, shpëton Kosova

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka ironizuar me një shkrim në rrjetin social Facebook.

Ai ka kujtuar një ngjarje derisa po udhëtonin jashtë vendit me disa krerë shtetëror, dhe dikush ka pyetur se çka ndodh nëse rrëzohet aeroplani.

Krasniqi tregon se kanë dhënë përgjigje nga më të ndryshmet, por njëra, sipas tij, ka qenë më interesantja.

“Nuk ndodh asgjë, veç shpëton Kosova”.

E me këtë Krasniqi si duket ka aluduar në udhëtimin e liderëve shtetëror

Presidenti Hashim Thaçi së bashku me Kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jashtë shtetit për vizitë do të jetë edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Aludimi i Krasniqit është që nëse rrëzohet aeroplani “shpëton Kosova”.

Shkrimi i Krasniqit në Facebook që e ka quajtur “pak ironik”:

Udhëtimi ne një Avion i një delegacioni nga Kosova!

Pak ironi!

Para disa vitesh po udhëtonin se bashku një delegacion i përberë nga krerët e partive politike te Kosovës (drejtues të shtetit). Në bisedë e sipër, njëri nga politikanët bëri një pyetje: Çka bëhet po bëri vaki e me u rrëzua aeroplani?

Pat përgjigje prej më të ndryshmeve, por njëra ishte më interesante se gjithë të tjerat. Ai pyetjes ia dha ketë përgjigje:

“Nuk ndodh asgjë, veç shpëton Kosova!”