Jasharaj paralajmëron javë të vështirë për grevistët: Duhet të përgatitemi

Në ditën e pestë të grevës së mësimdhënësve, Sindikata e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë ka ardhur për t’i mbështetur kolegët e tyre kosovarë, duke i inkurajuar ata që të mos heqin dorë, deri në realizmin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli, ka vizituar gjatë ditës së sotme SBASHK-un, në shkollën fillore të mesme të dhe ulët” Dardania”.

Rrahman Jashari, edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e SBASHK-ut, se greva nuk do të ndërpritet deri në realizimin e kërkesave. Ndërsa ka shtuar se pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, mësimdhënësit vazhdojnë të mbesin të diskriminuar.

“Kjo grevë nuk ishte me dëshirën tonë, kur e them këtë e them me argumente. Veçmas nga maji e këtej sindikata jonë u munduar që me dialog, e me takime të vazhdueshme t’a korrigjojë projektligjin e pagave, të cilin publikisht e kemi thënë, dhe me plotë të drejtë, se është diskriminues dhe nënçmues për tërë sistemin arsimor. Duke filluar nga çerdhet, për të vazhduar tek punëtorët teknik-ndihmës dhe tek mësuesit tonë të nderuar, pastaj edhe tek të punësuarit të tjerë,, të arsimit fillor dhe të mesëm, por edhe në universitete. Nuk kemi lënë derë pa trokitur, nuk kemi lënë takim pa mbajtur edhe me kryeministrin Haradinaj edhe me ministrin Yagcilar edhe me ministrin Bytyqi, me deputetët tanë të nderuar, gjithnjë në përpjekje që të mos vie deri tek kjo që erdhi”, tha Jashari.

Kreu i SBASHK-ut ka paralajmëruar mësimdhënësit se nga java e ardhshme mund të kenë presione për ndërprerjen e grevës, ndërsa ka shtuar se për të tilla raste do të ngrisin edhe padi.

“ Ju lus, sepse java e ardhshme mund të jetë edhe më e vështirë dhe ne duhet të përgatitemi . Ju lus, kudo që shënojmë presione të ndryshme ndaj grevistëve , po ju garantoj SBASHK-u, selia, do të ngris padi. Sepse ligji mbi grevat i mbron grevistët. Sepse, greva jon është legjitime dhe thuhet qartë, kush do që bën presion ndaj grevistëve, çdo presion qoftë do të përballet me gjykata dhe ne këtë do ta bëjmë”, ka shtuar Jashari.

Jashari ka akuzuar ministrin e MASHT-it Shyqri Bytyqi, se po zhvillon takime të fshehta me drejtorë të shkollave, duke thënë se më e udhës do të ishte që të takohej me përfaqësuesit e SBASHK-ut..

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqipërisë, Nevruz Kaptelli ka inkurajuar SBASHK-un që të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre. Ndërsa foli edhe për rëndësinë e arsimit dhe rolin e mësimdhënësve në një shoqëri.

“ Ne duam të ju inkurojmë dhe të ju themi, që mos u tërhiqni për asnjë moment nga të drejtat e juaja deri në plotësim e tyre. Qeveritë e kanë punën e tyre, ato asnjëherë nuk kanë marrë seriozisht të drejtat dhe dinjitetin e mësuesve . Është i njëjti fenomen që ndodh në dy shtetet tona, edhe në Shqipëri edhe këtu në Kosovë. Që të gjithë ata janë produkt i mendjes dhe duarve tuaja, harrojnë se kanë dal prej jush dhe harrojnë se pa arsim nuk mund të zhvillohet asnjë nga shtetet. Jo vetëm të tonat, po asnjë shtet në botë”, ka thënë Kaptelli.

Kaptelli tha se do të përkrahen në vazhdimësi nga mësuesit nga Shqipëria, madje sipas tij kjo grevë është model.

E Ymer Ymeri, sekretar i SBASHK-ut tha se është mirë që të mos kalkulohet me rritjen e pagës.

“Mos të kalkulohet me rritjen e pagës. Dje ministri dul, tha dje se sipas propozimit të tyre të ngritët koeficienti, dhe paga do të jetë 600 euro. Mos të kalkulojnë se kjo është, sepse ne konsiderojmë që kjo është një formë e presionit psiqik me qëllim që me kriju huti te anëtarësia dhe në fund me arrit me thy grevën… Ne nuk kemi kërkuar ngritje të vlerës së koeficientit që me rrit pagën , për ta bërë 600 euro. Kemi kërkuar rritje të koeficientit, rengim të koeficientit në vendin meritor, për shkak se nga 12 koeficientë të mundshëm që janë, arsimtarin e kanë lon nga 1,7 në çerdhe që është, deri më së shumti 2,3 te shkollat e mesme”, tha ai.

Fatmir Dervishi, profesor i matematikës, në shkollën “Dardania”, në fund ka prezantuar disa kalkulime që kanë bërë, duke numëruar kështu orët shtesë, ku sipas tij demantohet se mësimdhënësit punojnë vetëm 4-5 orë në ditë.