Juncker e quan të padrejtë se vetëm kosovarët nuk mund të lëvizin nëpër Evropë

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në konferencën për media së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e padrejtë që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë nëpër Evropë, ndërsa ka thënë se miratimi i demarkacionit është hap i pashmangshëm për liberalizimin e vizave.

“Ne presim që të Kuvendi ta votojë së shpejti demarkacionin. Është hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Qytetarët do të jenë përfituesit e parë. Përpjekjet kundër korrupsionit duhet të thellohen më tej. Jam i bindur dhe presidenti na i dorëzoi disa dokumente se Komisioni do të jetë në gjendje që të propozojë liberalizimin e vizave”, ka thënë Juncker.

“Nuk më kënaq ideja që kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Ata duhet të kenë të drejta të njëjta me të gjithë qytetarët tjerë evropianë”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse ka një datë të saktë të liberalizimit të vizave nëse Kosova voton demarkacionin me Malin e Zi, Juncker ka thënë se nuk varet nga BE-ja përcaktimi i datës.

“Nuk kam a ardhur këtu që të ligjëroj për demokracinë. Nuk varet nga ne që t’i themi Kosovës kur dhe si do të bëhet kjo. Kjo është demokraci e të rriturve dhe nuk mund t’u jap ndonjë datë”, ka thënë Juncker.

Thaçi ka thënë se vizita e Junckerit së bashku me Federica Mogherinin dhe Johannes Hahnin, janë dëshmi e përkushtimit të BE-së për Kosovën.

“Prezenca e juaj sot është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe për zgjidha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vizita i jep mbështetje të palëkundur përpjekjeve tona në rrugën tonë për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi.

“Së bashku me Veselin, Haradinaj, Pacollin dhe Jevtiqin zhvilluam një takim përmbajtësor. Në këtë takim unë i përcolla një mesazh të qartë. Në dhjetëvjetorin e pavarësisë Kosova është krenare që procesi i shtetndërtimit është bërë në përputhje me praktikat me shtetet evropiane”, ka thënë veç të tjerash Thaçi.