Juventusi ia prish rekordin Ronaldos, për herë të parë eliminohet në çerekfinale

As Cristiano Ronaldo nuk ka mundur ta ndihmojë Juventusin për ta fituar Ligën e Kampionëve.

Humbja e mbrëmshme nga Ajaxi në Torino 1-2 ka lënë jashtë Ligës së Kampionëve, bardhezinjtë.

Juve që në verën e shkuar kishte blerë Cristiano Ronaldon pikërisht për ta fituar këtë trofe, u ndal nga një skuadër e mbushur me talentë si Ajaxi, që dominoi në tërësi ndeshjen.

Madje, është Juventusi skuadra që ia prish edhe rekordin e Ronaldos, pasi më herët portugezi sa herë që ka luajtur në çerekfinale ka arritur të kalojë tutje. Në 11 raste që ka luajtur në këtë fazë, portugezi është kualifikuar në gjysmëfinale me skuadrat e Manchester United dhe Real Madrid, por me Zonjën e Vjetër e prishi këtë ecuri impresionuese.

Kujtojmë se Ronaldo ka shënuar plot 25 gola vetëm në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, kurse pas tre sezoneve rresht që ka fituar këtë trofe, këtë herë ai duhet të kënaqet vetëm me Scudetton në Itali.