Kallëpet e supozuara për modelet e sivjetshme të iPhone konfirmojnë dizajnin

Fotografia e postuar në Twitter nga Mark Gurman thuhet se i zbulon kallëpet që do të përdoren për modelet iPhone 2019 (iPhone 11 dhe iPhone XR 2). Këto emërtime nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe duhet të merren me rezervë, raporton Ubergizmo.

Kallëpet tregojnë se, kryesisht, iPhone i sivjetëm do ta ketë një dizajn të ngjashëm me paraardhësit e tij. Dallimi kryesor është sigurisht dizenjimi i moduleve të kamerës në anën e pasme.

IPhone 11 do të duhej t’i ketë tre kamera në anën e pasme, ndërsa pasuesi i iPhone XR do të duhej ta implementojë dizajnin me dy kamera. Apple e ka zgjedhur sistemin katror në të cilin do të vendosen sensorët dhe thjerrëzat, shkruan KOHA Ditore.

Mbetet për t’u parë nëse dizajni që e sugjerojnë kallëpet e iPhone do të jetësohen, sikurse edhe disa foto të rrjedhura më parë. Gjithashtu, Mark Gurman e ka një reputacion të mirë kur është fjala për publikimin e informacioneve rreth produkteve të Apple, por gjithsesi detajet e reja duhet të merren me rezervë derisa të kemi diçka zyrtare.