Katalonja, sfidë që e pret kryeministrin e ardhshëm të Spanjës

Beteja rreth pavarësisë së Katalonjës ka mbërthyer vëmendjen e politikës spanjolle në prag të zgjedhjeve të së dielës, teksa përplasjet nëpër rrugë, veturat e djegura dhe xhamat e thyer janë duke e ashpërsuar qëndrimin e partive politike kundër përkrahësve të pavarësisë.

Njëra prej pasojave është se mund të vështirësohet krijimi i qeverisë, po qe se zgjedhjet nuk nxjerrin fitues të qartë, ashtu siç edhe pritet të ndodhë.

Protestat kanë shpërthyer në Barcelonë edhe në pjesët e tjera të Katalonjës gjatë muajit të kaluar, pasi që nëntë liderët pro-pavarësisë u dënuan me shumë vjet burgim për rolin e tyre në referendum, e më pas edhe shpalljen e pavarësisë së Katalonjës, më 2017.

Megjithatë, përmasat e dhunës kanë qenë të paparashikueshme për atë që ka qenë përgjithësisht lëvizje paqësore, shkruan Reuters

Tubime të mëdha të përkrahësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë kanë shpërfaqur ndasitë e thella brenda vetë Katalonjës, rajonit më të pasur të Spanjës.

Në të njëjtën kohë, edhe kryeministri në detyrë i Spanjës, Pedro Sanchez, që më herët ka qenë në mesin e politikanëve të hapur për dialog, ka pasur qëndrim më të prerë gjatë ditëve të kaluara, teksa ka paralajmëruar ashpërsim ligjesh penale kundër separatizmit. Paralajmërimi i tij ka ardhur pas kritikave të së djathtës ekstreme se ai po tregohet i butë rreth Katalonjës.

“Bashkëjetesa është shkërmoqur”, i ka thënë Reutersit Cayetana Alvarez de Toledo, kandidatja kryesore e Partisë Popullore konservatore në Katalonjë.