Kemal Ademi, një tjetër gjigant për sulmin e Kosovës

Kosova së shpejti mund të bëhet edhe me një sulmues shtatlartë. Konkurrencën për Vedat Muriqin e Atdhe Nuhiun mund ta rritë Kemal Ademi.

Ademi ka filluar fuqishëm karrierën te Baseli dhe tashmë është në planet e përgjegjësve në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll

Futbollisti i gjatë 197 centimetra ka shtetësi të Gjermanisë dhe Zvicrës, ndërsa prejardhja e tij është nga Prizreni.

Ademi deri më tash nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese, për grupmosha apo seniorë. Kështu që e ka rrugën të hapur për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Në të vërtetë, përgjegjësit e Përfaqësueses së Kosovës tashmë kanë vënë kontaktet me menaxherin e Kemal Ademit. Por nuk ka ndonjë qëndrim prej kampit të futbollistët nëse ka interesim që ai t’i bashkohet Kosovës.

Ademi, 23-vjeçar, në mes të qershorit kaloi te Baseli. Me klubin e madh zviceran firmosi kontratë katërvjeçare. Menjëherë u bë i rëndësishëm për sulmin e skuadrës. Ai të martën mbrëma shënoi golin e vetëm për Baselin në humbjen 3:1 nga LASK-u austriak në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.