fbpx

Klopp ankohet për mungesën e pushimeve: S’po luajmë PlayStation

Trajneri Jurgen Klopp është ankuar sërish për agjendën e ngarkuar të Liverpoolit, duke theksuar se futbolli i vërtetë nuk është si në PlayStation dhe se lojtarët e tij e kanë të vështirë t’i menaxhojnë përgjegjësitë për ndeshjen e Premierligës, Kupës së Botës për Klube dhe Carabao Cup.

Liverpooli kishte arritur ta përballojë agjendën e ngarkuar të ndeshjeve gjatë sezonit 2018/19, kur në fund u shpall fitues i Ligës së Kampionëve, duke e siguruar kështu edhe një vend në Kupën e Botës së Klubeve, që mbahet në Katar, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pjesëmarrja në këtë turne ka sjellë edhe telashe për Liverpoolit, pasi që ndeshja e Carabao Cup me Aston Villan është planifikuar të mbahet vetëm 24 orë pas ndeshjes së Liverpoolit në Kupën e Botës për Klube.

Gjithsej, Liverpooli duhet t’i zhvillojë shtatë ndeshje në dhjetor, ndërsa do të duhet t’i luajë edhe dy ndeshje shtesë në janar. Për këtë arsye, Klopp është detyruar të bëjë ndryshime në skuadër, përkundër që s’ka pasur lojtarë të tjerë të lënduar së fundi.

“Nuk e kishim në plan t’i bënim 30 ndeshje vitin e kaluar [në dhjetor], por ka ardhur koha që t’i bëjmë ato ndryshime tani, kjo është e qartë. Do ta bëjmë këtë, 100 për qind. Nuk jemi në PlayStation dhe lojtarët kanë nevojë të pushojnë”, ka thënë Klopp.

“Nuk kemi kohë për pushime. Megjithatë, ne do të tentojmë t’u japim atyre nga pak pushim kudo që të kemi mundësi. Të tjerët do të duhet të performojnë mirë. Ne duhet t’i bëjmë këto ndryshime. Kjo është e qartë”.

Njëri ndër lojtarët që ka përfituar nga kjo situatë është Xherdan Shaqiri, i cili ishte titullar në ndeshjen e mesjavës kundër Evertonit, në të cilën kontribuoi me një gol, për herë të parë pas një kohe të gjatë.