Koalicioni VV-LDK në rrezik, flasin nga LDK

Gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim që ta shkarkojë nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

Krejt ky vendim që sot e ka marrë Kurti ka ardhur si pasojë e deklaratave që Veliu i kishte bërë të martën mbrëma, ku ishte deklaruar kundër qëndrimit të Kurtit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Mirëpo, ky vendim i Kurtit për shkarkimin e Veliut është kundërshtuar nga partneri i tij qeverisës.

Haki Rugova, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se prioritet i Kurtit ka qenë heqja pa kusht e tarifës dhe jo shkarkimi i Veliut.

“Unë e mora vesh që Kurti e ka marrë një vendim për shkarkimin e Veliut, i cili natyrisht është i papranueshëm i marrë pa marrëveshje. Unë kam pritur që Albin Kurti ka me marrë një vendim tjetër, ai vendim do të ishte heqja e taksës pa kushte. Ky ka qenë vendim me prioritet e jo Agim Veliu”, ka deklaruar Rugova

Tutje ai ka thënë se Kryesia e LDK-së nuk është mbledhur pasi që vendimi për shkarkimin e Veliut është bërë pa asnjë marrëveshje me Isa Mustafën.

Madje Rugova ka thënë se vendimi i Kurtit për Veliun është edhe vendim për të, që ka lënë të nënkuptohet që koalicioni mund të prishet.

“Natyrisht që nuk jemi mbledhur. Unë po deklaroj se shkarkimi i Veliut është i papranueshëm derisa është vendim pa marrëveshje me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Si duket e ka marrë vendimin edhe për veti”, u shpreh Rugova

Në anën tjetër, edhe i pari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook e ka kundërshtuar shkarkimin e Veliut dhe ka kërkuar nga Kurti që ta anulojë këtë vendim dhe të marrë vendim për heqjen e taksës.

Po ashtu, Mustafa ka thënë se vendimet e njëanshme të Kurtit qojnë në prishjen e koalicionit.

“Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shkruar Mustafa ndër të tjerash.